Harta gjyqësore, Haxhia: Bojkotojmë për tre ditë të gjitha proceset gjyqësore
Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia ka lajmëruar se për shkak të hartës së re gjyqësore të prezantuar është marrë vendim të bojkotohen nga dita e martë dhe deri të premten e kësaj jave seancat gjyqësore.
Në një prononcim për mediet, Haxhiu u shpreh se Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë vlerësoi situatën, të gjithë procesin ku ai ka marrë pjesë në 6 tryeza të rrumbullakëta të organizuar nga KLGJ dhe Ministria e Drejtësisë dhe konstatoi se duke analizuar dhe vendimin në fjalë konstatoi se nuk ka asnjë ndryshim.
“Në këto kushte duke e ndjerë veten të fyer sepse këto tavolina kanë qenë një fars propagandistike, një formalitet për të treguar për të thënë që është marrë mendimi i analizuar i faktorëve dhe aktorëve të drejtësisë, në këto kushte vendosëm të bojkotojmë një zëri të gjitha proceset në të gjitha nivelet e gjykimit përfshirë dhe Gjykatën e Lartë. Procesi fillon nesër dhe mbaron ditën e premte”, tha ai.
Haxhia shtoi se, me këtë bojkot ne synojmë të sensibilizojmë të gjithë shtetasit sepse duhet ta kenë të qartë se të gjithë ata persona fizik dhe juridik që do të kenë nevojë për zgjidhjen e heshtjeve gjyqësore të ndërgjegjësohen duke lënë mesazhin që vetëm interesat e tyre nuk përfaqësohen nga kjo hartë gjyqësore, përkundrazi kjo hartë gjyqësore e hartuar në këtë mënyrë cenon rëndë jo vetëm aksesin në drejtësi të individëve por njëkohësisht rrit kostot dhe shpenzimet.
“Unë shpresoj që kjo grevë të jetë kambanë për Ministrinë e Drejtësisë që të merren parasysh kërkesat tona që do ua bëjmë me dije edhe juve. Këto nuk janë interesat e avokatëve por të personave fizikë dhe juridikë sepse pas çdo avokati është një person. Nuk mund të paravendosim plan por e kemi lënë të hapur që komiteti drejtues do mblidhet këshilli i përgjithshëm për të përcaktuar qëndrimin që do ndjekim. Të gjithë janë pajtuar. Nëse do ketë njeri që nuk respekton vendimin do procedohet disiplinarisht deri në heqjen e licencës. Kjo situatë që është krijuar nuk mund të zgjidhet me një situatë që krijon më shumë probleme”, tha Haxhia.