AktualitetTë fundit

Atentati tek TEG-u; Aleksandër Sadikajt iu gjet në shtëpi jelek anti-plumb, fishekë dhe drogë

Policia ka gjetur në banesën e Aleksandër Sadikajt në Sauk një jelek antiplumb, municione dhe një kavanoz me kanabis. Duke qenë se grupi hetimor gjeti edhe një pistoletë të cilën 27-vjeçari e mbante me vete, janë ngritur dyshime te forta se i riu i druhej ndonjë atentati. Për këtë po verifikohet nëse viktima është përfshirë në ndonjë konflikt gjatë kohëve te fundit.

Për policinë është ende i paqartë vendi ku është montuar lënda plasëse, ndaj po verifikohen kamerat bazuar itinerarit që ka ndjekur viktima, nga rruga “Irfan Tomini” një natë para ngjarjes, tek banesa e tij në Sauk dhe autostrada Tiranë-Elbasan, para momentit te ngjarjes. Hetuesit janë të bindur se objektiv i atentatit ka qenë Aleksandër Sadikaj edhe pse targat figuronin në emër të një tjetër personi. Viktima ka blerë automjetin pesë muaj më parë, por nuk kishte bërë ndryshimin e pronësisë së mjetit.

Ngjarja

Aleksandër Sadikaj ishte nisur drejt Memaliaj, por në aksin Sauk-TEG, makina me targa AB077PO me të cilën ai po lëvizte shpërtheu, si rrjedhojë e sasisë së tritolit. Autorët janë treguar të kujdesshëm, kjo pasi kanë vendosur që të bëjnë shpërthimin e komanduar në një moment kur nuk ka pasur në rrugë asnjë makinë tjetër përreth Sadikajt, duke shmangur rrezikun që nga ai shpërthim të vritej një person i pafajshëm. Bomba me celulare dyshohet se i është vendosur nga persona që kishin akses te makina. Nga shpërthimi Sadikaj ka humbur 2 gjymtyrët e poshtëm, këmbët, dhe ia ka dalë që të dilte vetë nga makina. Ai është ndihmuar edhe nga kalimtarët, teksa është dërguar me urgjencë në spital, por për fat të keq nuk ia ka dalë që t’i mbijetonte plagëve të marra, për rrjedhojë humbi jetën.

Kush është Aleksandër Sadikaj?

27-vjeçari Aleksandër Sadikaj është një njeri me precedent të theksuar kriminal në fushën e vjedhjes, krimeve ndaj personit dhe narkotikëve. Ai rezulton pronar i një resorti me pistë hipizmi, i njohur si “Sancho Farm Albania” në Memaliaj, vendi i origjinës së nënës. 3 vite më parë, në korrik të 2019, ishte i përfshirë në një tjetër ngjarje kriminale ku ka tentuar që të vrasë me thikë 40-vjeçarin nga Vlora Berti Tahiraj, pranë Kanalit të Cukës në Sarandë. Ndërkohë, rezultonte si autor i disa vjedhjeve apo kundërshtimeve të urdhrave të policisë. Përveç akuzave të tjera ndër vite, para 5-6 vitesh ai dyshohet se ka kryer një vrasje në Athinë për prishje pazaresh të drogës.

Dëshmia e mikut të fëmijërisë së Sadikajt: I dha para me fajde shokut nga Kuçova, kishin konflikte prej vonesave! Ia ktheu para atentatit

Miku i fëmijërisë së Aleksandër Sadikajt ka deklaruar para hetuesve se nuk kishte dijeni në lidhje me ndonjë konflikt që Sadikaj mund të kishte me ndonjë person. Ai ka pohuar se Aleksandri mbante 2 apo 3 aparate celular, ndërsa sipas tij nuk kuptonte arsyen, me argumentin se ai nuk fliste me ndonjë person në sy të tij.

Po ashtu ai ka pohuar se Aleksandri nuk i kishte borxh ndonjë personi, por një shoku i tij nga Kuçova i kishte borxh atij rreth 2 milionë lekë të reja. 27-vjeçari i kishte dhënë atij një makinë dhe 5 mijë euro dhe personi nga Kuçova do ia kthente me përqindje kur të mblidhte lekët. Pak kohë më parë, Aleksandër Sadikaj i kishte futur ndërmjetës për të marë lekët një tjetër person po nga Kuçova. Shuma prej 15 mije e 500 euro Aleksandrit i është dhënë disa ditë para se të ndodhte ngjarja. Shoku i tij nga Kuçova njihej me pseudonimin Peqja, ndërsa kishin pasur konflikte me njëri-tjetrin për shkak të vonesës së lekëve.

 

Fraksion.com