AktualitetPolitikëTë fundit

Kryetarët e degëve të PS; Rama batuta me Gjiknurin dhe kandidaten e Elbasanit: Po shikoja Ermirën, por ajo nuk bëhet dot baba

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Asamblenë e Zgjeruar Socialiste të Bashkisë Elbasan në takimin për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj vendor në 61 bashkitë e vendit.

Teksa sekretari i Përgjithshëm i PS-së Damian Gjiknuri tha se kryetari i Partisë duhet të jetë babai i asaj shtëpie, ku të gjithë socialistët do të trokasin, Rama i kujtoi se një nga kandidatët për kreun e PS Elbasan është grua dhe se nuk mund të bëhet dot baba i partisë, por kryetare e saj.

“Ky proces synon t’i japë një shtysë të re drejtimit të PS-së në të gjithë territorin, i cili synon që të ripërtërijë dhe njëherë siç kemi bërë dhe në të shkuarën, por me një mekanizëm të ri, strukturën e PS-së në tërësi, i cili synon t’i hapë rrugë më pas procesit të përzgjedhjes së kryetarëve të partisë në të gjitha njësitë bashkiake në të njëjtën mënyrë, por edhe me ndihmën dhe me koordinimin së bashku me kryetarët e partisë që do të zgjidhen në çdo bashki. Dua të bëj vetëm një plotësim pas asaj që tha sekretari i përgjithshëm, i cili foli për kryetarin e partisë si një baba.

Kur ai foli për një baba, unë po shikoja Ermirën që është aty kandidate dhe mendoj që ka nevojë të sqarohet kjo sepse ne kemi në këtë proces vajza dhe djem, gra dhe burra dhe jo vetëm kaq, por kemi rënë dakord në kryesinë e partisë socialiste që kudo ku ne kemi kandidatë cilësorë dhe që meritojnë mbështetje për të kontribuuar në drejtim të partisë që janë dhe burrë dhe grua, dhe vajzë dhe djalë, atëherë në do kemi bashkëdrejtim të partisë siç kemi bërë në nivelin e organizatave dhe mua më vjen keq që bashkëdrejtimi i partisë në nivelin e organizatave ende është i paplotësuar në një pjesë jo të vogël të organizatave si një bashkëdrejtim në barazi gjinore. Aty ku kjo ka ndodhur, ne kemi parë që rezultatet kanë qenë domethënëse”.

“Pra, Ermira nuk bëhet dot baba i partisë Damian, por patjetër që në rast se paraqitja e saj do të jetë e duhura për anëtarët e partisë dhe për komisionin, ajo do të jetë kryetare e partisë. Por në rast se edhe Ermira dhe një nga shokët që janë aty do të përformojnë në mënyrë bindëse, atëherë dhe në Elbasan në bazë të propozimit të komisionit ne do të kemi bashkëdrejtim të PS-së. Kjo për një sqarim. Ne promovojmë në të gjitha nivelet barazi gjinore. Ia kemi parë hajrin sepse sa më shumë gra dhe vajza janë përfshirë aq më mirë kanë shkuar punët e partisë. Për këtë arsye është e rëndësishme që të mos e harrojmë asnjëherë dhe mos ta quajmë kryetarin e partisë gjithmonë një figurë detyrimisht figurë babe”, tha Rama.

 

Fraksion.com