AktualitetTë fundit

Arrestohet në Itali me 20 kg kokainë ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku! Droga kapte vlerën e 1 mln euro

Ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku është vënë në pranga për trafik droge! Arrestimi i tij është bërë nga policia italiane, pasi është kapur me 20 kg kokainë në zonën e San Benedetto del Tronto.

Mësohet se arrestimi i tij është bërë në 27 maj 2022, ku gjatë operacionit të bërë nga policia italiane i janë gjetur edhe 20 kg kokaine e cila nëse do të hidhej në treg do të kapte vlerën e 1 mln euro.

Ai është prezantuar Policisë Italiane si Agim Kajmaku datëlindja 6 korrik 1971, që është dhe identiteti i ish-kryebashkiakut të Vorës. Nga sa mësohet, Kajmaku e kishte fshehur sasinë e drogës në vazo me lule, por nuk ka arritur që t’i shpëtojë policisë italiane.

Kujtojmë që ai, para se të bëhej kryebashkiak i Vorës, merrej me biznesin e fidanëve, farërave dhe plehrave, me firmën e tij që quhej “Kajmaku shpk” e ku merrej me “prodhim, shitje, tregim shumë e pakicë farash, fidanëve, pemëve frutore e dekorative, etj., punim i sipërfaqeve të gjelbërta, parqe, dekore urbane…”.

Operacioni vijon dhe Italia ka kërkuar edhe ndërhyrjen e Policisë Shqiptare.

Kush është Agim Kajmaku?
Agim Kajmaku u zgjodh në krye të Bashkisë Vorë në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, por u denoncua nga PD se kishte fshehur dënimin në Greqi për falsifikim parash dhe se kjo nuk ishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Fillimisht kjo u mohua prej tij, por më pas u vërtetua nga prokuroria e Tiranës përmes një letërporosie dërguar autoriteteve greke se ai ishte në kërkim në 2003 për falsifikim të kartëmonedhave dhe nuk ishte arrestuar pasi kishte ikur në Shqipëri.

Nga përgjigjja që Interpol Greqia dhe Interpol Tirana i kanë dërguar Prokurorisë së Përgjithshme, është vërtetuar se gjurmët e gishtërinjve të Agim Kajmakut janë të njëjta me Jorgo Toton, i cili është arrestuar në Greqi dhe këtë arrestim nuk e ka deklaruar kur ai kandidoi për zgjedhjet e 30 qershorit nën siglën e PS-së.

 

Fraksion.com