AktualitetPolitikëTë fundit

Si do t’i bashkoni demokratët? Berisha sulmon Alibeajn dhe grupin e tij: Veglat e Ramës janë në shërbim të tij, siç bënë…

Në një komunikim për mediat kreu i PD Sali Berisha u pyet se çfarë ka ndryshuar tani që ai drejton këtë forcë politike lidhur me bashkimin e opozitës dhe faktin që më parë akuzonte paraardhësin e tij Lulzim Bashën për dështimin e drejtimit të opozitës.

Pyetje: Ju flisni për një bashkim të partive opozitare. Deri dje fajësonit Bashën dhe Alibeajn, sot jeni kryetar çfarë është bërë?

Berisha: Veglat e Edi Ramës janë në shërbim të Ramës. Siç bënë lojën e neveritshme të presidentit në funksion të imazhit të tij dhe Ramës, marrin përsipër që të keq shfrytëzohen për komisione te reformave të Ramës. Ne do të bashkohemi me ata të cilët janë për të shpëtuar Shqipërinë nga ky regjim monist, i bazuar në krimin, drogën.

Më tej Berisha u shpreh qartë se nuk do të marrë pjesë të asnjë farsë të organizuar nga kryeministri Edi Rama.

“Ne nuk marrim pjesë në farsa të organizuar nga Edi Rama dhe të keqshfrytëzuarit e tij opozitarë”, tha ai.

Ndër të tjera, Berisha tha se nuk është në favor të asnjë lobimi qoftë negativ, qoftë pozitiv, duke sqaruar se Evi Kokalari ka kontribute të çmuara në PD, por sipas tij ishte zgjedhja e saj të tërhiqej.

“Nuk jam në favor të asnjë lloj lobimi as negativ dhe as pozitiv, por unë dua të jem realist. Sot në kohën e smartphone ajo varet nga sensi i një njeriu. Sa i përket zotit Këlliçi është bashkëpunëtor i çmuar i Berishës dhe ka dhënë kontribut të veçantë për përpjekjen e PD për Rithemelimin deri në ditën e sotme. Sqaroj se Evi Kokalari ka kontribute të çmuara, por vendosi vetë të mos kandidojë dhe të tërhiqet dhe të ndjekë karrierën e saj në Partinë Republikane”, tha Berisha.

Më tej ai theksoi se PD është treguar shumë vonuar në zhvillimin e protestave.

“Unë jam shumë i vonuar në artikulimin tim pasi zemrat e njerëzve po ziejnë dhe revoltat në shpirtin e tyre po ziejnë. Lëvizjet janë shumë interesante. Nganjëherë udhëhiqen, por nganjëherë ato të udhëheqin. Kërkesa për protestë është universale, PD është e vonuar. Padiskutim që do të jemi në lartësinë e detyrimeve tona”, u shpreh ai.

 

Fraksion.com