MB dhe OSBE, projekt për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve
Prezenca e OSBE-së, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, prezantuan sot projektin “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe shpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta”.
Ky është një projekt trevjeçar, i cili do të ndihmojë autoritetet shqiptare në uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta.
Më konkretisht, projekti mbështetet përpjekjet e institucioneve për përshtatjen e kuadrit ligjor për çaktivizimin e armëve të zjarrit, forcimin e kapaciteteve të Institutit të Përgatitjes së Qenve të Policisë së Shtetit dhe ndërgjegjësimin e publikut mbi rreziqet e keqpërdorimit dhe përhapjes së armëve të vogla e të lehta.
Ai zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Francës.
Zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, i cili mori pjesë sot në ceremoninë e çeljes së këtij projekti u shpreh në fjalën e tij se, “Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Prezencës së OSBE në Shqipëri, nënshkruar më datë 5 tetor 2021, përbën bazën e këtij projekti bashkëpunimi konkret në tre drejtime kryesore”.
“Së pari, ndryshimet e fundit të vitit 2020 në ligjin për Armët, prezantuan për herë të parë mekanizmin e de-aktivizimit të armëve. Jemi të lumtur që këtë proces të rëndësishëm do ta realizojmë për herë te parë me OSBE-në, falë këtij projekti”, tha Lamallari.
“Së dyti, forcimi i kapaciteteve të Policisë së Shtetit dhe aftësive të qenve të policisë (K9) për zbulimin e armëve, municioneve dhe eksplozivëve përmes rikonstruksionit të Institutit të Trajnimit të Qenve të Policisë, mbështetjes operacionale dhe teknike do të jetë një vlerë e shtuar dhe për autoritetet doganore shqiptare, pjesë e rëndësishme e Komisionit Kombëtar”, theksoi Lamallari.
“Së treti, mbështetja e Komisionit Kombëtar në ngritjen e vetëdijes publike mbi rreziqet e keqpërdorimit dhe përhapjes së armëve të vogla dhe të lehta do të jetë padyshim më e plotë dhe efektive falë përfshirjes së gjerë të të rinjve dhe sistemit arsimor në vend”, nënvizoi Lamallari.
“Në një kohë relativisht të shkurtër, nga miratimi i ndryshimeve në ligjin “Për Armët” në muajin dhjetor 2020, deri më sot, ka përfunduar procesi i hartimit dhe miratimit të akteve rregullatore kryesore në funksion të përafrimit të legjislacionit vendas me atë të Bashkimit Evropian në këtë fushë. Vlerësimi i shprehur nga Komisionerja për Punët e Brendshme në Bashkimin Evropian, znj. Johansson gjatë fjalës së saj në Ministerialin e Ballkanit Perëndimor për Armët e Zjarrit, mbajtur në shtator te vitit 2021, veçoi Shqipërinë si vendi i parë në rajon që miratonte ligjin e rishikuar për armët, mbështetur në versionin më të fundit të Direktivës së BE për Armët e Zjarrit. Ndërsa sot, janë plot 15 akte ligjore dhe nënligjore të miratuara të cilat ndjekin dhe zbatojnë kriteret dhe standardet më të afërta me ato të Bashkimit Evropian. Vlen të vecojmë këtu dhe miratimin në muajin dhjetor 2021 të Planit të ri të Veprimit 2022 – 2024 në zbatim të plotë të Strategjisë Kombëtare”, theksoi Lamallari.
“Është e rëndësishme të theksojmë, se për ne, procesi i përmirësimit dhe përafrimit të legjislacionit në këtë fushë, është konsideruar si i pandarë dhe zhvilluar njëkohësisht me masa konkrete strukturore, operacionale dhe teknologjike”, tha ai.
Lamallari veçoi 4 nisma e masa konkrete, “Njësia Qendrore e Armëve të Zjarrit do të ngrihet dhe funksionojë si një njësi e specializuar në Policinë e Shtetit për inteligjencën, analizën, shkëmbimin e informacionit rajonal dhe dhënien e orientimeve strategjike dhe taktike në luftë kundër trafikimit dhe keqpërdorimit të armëve të zjarrit. Policia e Shtetit ka intensifikuar përdorimin efektiv të sistemit ndërkombëtar të gjurmimit të armëve të zjarrit përmes sistemit të Interpol iARMS Nëntë ditë më parë, me Urdhër të Ministrit të Brendshëm është ngritur Task Forca për Uljen e Kërcënimeve që rezultojnë nga keqpërdorimi dhe zotërimi i paligjshëm i armëve të vogla dhe të lehta përmes aktiviteteve ndërgjegjësuese shumëplanëshe dhe të bazuara në informacion. Kjo Task Forcë kryesohet nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Shpreh bindjen se misioni dhe detyrat e Task Forcës do të përmbushen me sukses falë dhe mbështetjes dhe ndërveprimit të rregullt, ndër të tjera, me Ministritë përgjegjëse për Arsimin dhe Rininë, si dhe duke garantuar koordinimin efikas dhe shmangien e mbivendosjeve mes projekteve aktuale me fokus rritjen e vetëdijësimit. Policisë së Shtetit, konkretisht Policisë Shkencore, i shtohet së fundmi sistemi më i avancuar teknologjik për krahasimin e gjurmëve balistike falë Marrëveshjes së nënshkruar me datë 31 Maj 2022 në Paris, mes Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Francës”.
“Synimi ynë kryesor përmes këtij sistemi është mundësimi i shkëmbimit në kohë sa më të shpejtë të të dhënave të armëve dhe municioneve me vendet e rajonit dhe Bashkimit Evropian. Teksa shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë dëshmuar pronësi të qartë mbi nismën dhe një nivel të shkëlqyer drejtimi, koordinimi dhe zbatimi të masave për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta, mirënjohje vazhdimisht për mbështetjen financiare dhe teknike të ofruar nga qeveria Franceze, Gjermane, Komisioni Europian, dhe organizatat e donatorët e tjerë”, tha Lamallari.
“Qeveria shqiptare, nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, ka dëshmuar gjithmonë e më fort, vit pas viti, se Shqipëria është eksportues sigurie për rajonin dhe më gjerë. E dëshmuam këtë në vitin 2019 gjatë kryesimit të Konventës së Bashkëpunimit Policor në Europën Juglidore, e cila numëron 12 shtete anëtare, duke perfshire 6 shtete të Bashkimit Evropian dhe 6 shtete të rajonit. E konfirmuam akoma më qartë, një vit më pas, gjatë kryesimit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në vitin 2020. Sot, në një kohë veçanërisht të vështirë për Evropën dhe më gjerë, vendi ynë po dëshmon me zë akoma më të fortë angazhimin e palëkundur dhe kontributin domethënës në mbrojtje të të drejtave themelore, vlerave universale të botës demokratike dhe sigurisë globale”, u shpreh Lamallari.
Strategjia Kombëtare dhe Udhërrëfyesi Rajonal, parë në ketë këndvështrim më të plotë dhe objektiv, meritojnë të vlerësohen si akte politiko-strategjike të Qeverisë Shqiptare, ashtu si dhe të shteteve të tjera të rajonit, për më shume bashkëpunim dhe ndërveprim përtej kufijve faktikë, dasive të trashëguara apo edhe ‘benchmarks’ e proceseve të tejzgjatura dhe të paqarta në kohë, me synimin jetik të sigurisë dhe qëndrueshmërisë së rajonit. Sigurisht, një rajon më i sigurt dhe i qëndrueshëm paraqet një potencial të shtuar dhe zhvillohet njëkohësisht me nisma të tjera rajonale që nxisin përparimin ekonomik”, përfundoi Lamallari.
Fraksion.com