AktualitetPolitikëTë fundit

Kuvendi, Gjekmarkaj: Qeveria të shpallë Vatikanin partner strategjik

Ditën e sotme në Kuvend, deputeti Agron Gjekmarkaj ka ndarë detaje nga takimi i tij me Papa Françeskun dhe Sekretarin e Shtetit të Vatikanit Eminenca e Tij, Pietro Parolin.

Gjekmarkaj u shpreh se në 32 vite liri e pluralizëm shteti i Vatikanit është shfaqur krah Shqipërisë më shumë se çdokush tjetër.

Po ashtu ai i bëri thirrje qeverisë shqiptare ta shpallë Vatikanin partner strategjik.

“Asgjë nuk ndodh rastësisht në marrëdhënie mes vendeve ka një traditë. Ati i Shenjtë zgjodhi për të vizituar Shqipërisë si të parin vend në vitin 2014.  Lutem për Shqipërinë dhe popullin shqiptar tha shenjtëria e tij. Po ka i çmuar me këshillin e tij duhet një politikë njerëzore, e ndërtuar mbi vlerat e humanizmit. Në vitin 2018 Papa Françesku përsëriti në Vatikan se Gjergj Kastrioti mbrojti me guxim vlerat krishtërore. U bë simbol i padiskutueshëm i bashkimit të shqiptarëve”, tha ai.

Fjala e plotë:

E nderuar Zonja Kryetare,
Të nderuar deputetë,

Nga kjo sallë themelore e demokracisë dhe e debatit politik shqiptar, dua të falenderoj Atin e Shënjtë Papa Françeskun dhe Sekretarin e Shtetit Kardinalin Parolin, për ftesat dhe pritjen që na rezervuan, zonjës Lindita Nikolla Kryetare e Parlamentit dhe mua në cilesinë e zv -Kryetarit!

Jam i sigurtë që në këtë homazh mirnjohjeje bashkoheni të gjithë ju të nderuar kolegë e bashkë me ne i gjithë populli shqiptar.

Nuk mund të jem indiferent perballë një ngjarjeje të tillë e cila nuk ka lidhje vetem me personat që u nderuan si personazhe kalimtarë të një historie të gjatë miqësie mes Vatikanit dhe Shqipërisë por me vetë Shqipërinë.

Nuk do të mjaftonte një komunikatë për shtyp, as një ilustrim fotografishë për të percjellë vëmendjen, respektin, afrinë e Papa Françeskut , të Eminences Parolin e të shtetit të Vatikanit për popullin tonë!

Asgjë nuk ndodhë rastësisht në mardhënjet mes vendeve, ka një traditë kushtezuese, ka një element bashkohësie që ngjit, ka një projekt për të ardhmen që bashkon !

Në këtë kontekst Ati i Shęnjtë zgjodhi për të vizituar Shqipërinë si të parin vend europian në vitin 2014 në intenerarin e vet si pelegrin i paqes duke çmuar vllazërinë mes komuniteteve fetare në vendin tonë, harmoninë e mirëkuptimin që vjen nga thellësi e kohëve si bazament solid e si shembull për një botë që trazohet.

Po kaq nën profilet e martirve të Kishes Katolike pat kaluar ai si per t’ju përgjigjur thirrjes së tyre dhe asaj të vetë Kishes Shqiptare në shekuj , për ti folur epokes dhe qytetërimit tonë se sa gjak është derdhur, sa qendresë është bërë në emer të Zotit, identitetit dhe lirisë!

Lutem për Shqiperinë dhe popullin shqiptar tha Shënjteria e tij duke sygjeruar që popujt të cilet punojnë për progresin , për paqen, për standartet demokratike fitojnë gjithmonë, po kaq i çmuar në keshillen e tij se duhet një politike njerëzore e për njerëzit e ndërtuar mbi vlerat më të mirat të humanizmit, dhe jo mbi egoizmin.

Gjithashtu i vëmëndshëm e tejet i interesuar për të gjitha dinamikat shqiptare ishte dhe Kardinali Parolin, i cili revokoi miqësinë historike, kumtet që vijnë prej saj, mbeshtetjen e Shtetit të Vatikanit dhe dëshirën që Shqiperia ti bashkohet në të gjitha formatet familjes europiane duke konservuar arritjet e saj më të mirat të bashkjetesës , por edhe në zhvillimin e demokracisë pa bjerrur humanizmin.

Të nderuar kolegë!

Mardhënjet tona me Vatikanin e meritojnë një analizë historike politike e kulturore.

Në vitin 1968 Shqiptaret e Dispores mblidheshin rreth Papa Montinit për të kujtuar 500 vjetorin e vdekjes së Mbretit -Gjergj dhe ai do u drejtohej atyre,
” Bij fort të dashun Shqipëtarë!

“Po Ju sjellim juve nji mirëseardhje të veçantë, mbasi qenkeni mbledhun për të kujtuem Pesëqindvjetoren e Gjergji Kastriot Skanderbegut, fatosit të Kombit t’uej e të Krishtenimit, pranë kësajë Selije Apostulike , të cillën mund e njehni si shtëpinë t’uej.

Na po ju shohim me të kënaqun, sepse e diejmë se shpirti me të cillin ju e kujtoni ketë rasë âsht se asht shpirti i hershëm i fisit t’uej, i cilli gjith here përmi çdo interres ka vum vlerat e trashigueme të besës, të nderës e të burrnísë.

Të tilla virtyte i ka bam nji me vehten e vet fatosi Skanderbeg, e juve ju a ka lanun trashigim; bashk me lidhëninë e pandame me miqt e vjetër të Atdheut t’uej, ndër të cillët kjo Seli Apostulike ,gëzohet tue u radhitun, mbasi njehet ndër ata qi fjalen kurrë nuk ju a luejtën”

Tre Papë nga viti 1443-1468 nuk ja kursyen ndihmën morale ekonomike e politike prijsit të Shqiptarve. Humanisti i madh Enea Silvio Picolomini më shumë nga të gjithë.

Pikërisht kur arbërit dukeshin se përjetonin shkretëtimin e madh, kur litarët e fundit që mbanin gjallë kujtesën gati po keputeshin, në vitin 1703, Papa Klementi me origjinë shqiptare shfaqet si ideues dhe mecenat i Kuvendit te arbërit mbajtur ne Mërqi të Lezhës . Kjo besëlidhje shpëtoj dhe rilidhi historin tonë.

Kur je nën ata portikë që nuk ndryshojnë në shekuj është e pamundur të mos përpiqesh me imagjinatë të kuptosh , kur zbriti Skënderbeu, me kaloresit e tij tek kumte nga Arbëria e përgjakur , në cilin korridor kaloi, në cilat ganxha i vu pelerinat e purpurta, nën cilën relike të Giottos apo Peruginos u ul, deri ku e pritën dhe e përcollën mëkëmbesit e Shën Pjetrit!
Mos në ato biseda të zymta lufte e mbijetese u farkëtua përfundimisht identiteti europian i shqiptarëve ajo formulë që gjeniu Kadare nxorri si tharm të rrugetimit tonë!
“Shqiptaret ndërsa për veten luftuan, për Europen po kaq si mbrojtës u panë”

Po ashtu në vitin 2018 në përvjetorin e 550-të Papa Françesku përsëri mes shqiptarve në Vatikan pat konstatuar se Ai, Gjergj Kastrioti :
” Mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë, aq sa të meritonte titullin ‘Athleta Christi’. Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar” !

Lufta 25 vjeçare dhe kujtimi i Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, mbeten si amanet i përjetshëm që Selia e Shënjtë të kujdesej për shqiptaret të cilëve fati nuk ju kurseu sfidat !

Aty u strehua nga furitë e moteve thagma e gjuhes shqipe ” Meshari” i Gjon Buzukut ! Ipeshkvi Pal Ëngjelli e nisi lërimin e tokës së ashpër nga mos punimi me formulen ” Unte te paghesont premenit Atit et birit et spertit senit ” !
Një frazë hyjnore që shqipen e mbrojti nga zhdukja.
Pikërisht këtë frazë të qendisur i dhuruam Papa Françeskut në emer të Kuvendit të Shqipërisë.
Në Shypshkronjat e Shtetit që u ndertua mbi një liber Biblen, bëri të vetet, Pjeter Budi, ai që na kujton raportin me jeten duke na pyetur
” Ku janë ata pleq bujarë,
që qenë përpara ne,
e ata trima sqimatarë,
të shpejtëtë si rrufe? ”
Nën nevojat e kohes dhe zulmat e kujtimeve Kardinalet financuan Pjetër Bogdanin me Sibilat e tij, Frang Bardhin me apologjinë për Skënderbeun dhe fjalorin e një gjuhe që “bdarej e bastardhohej ” nën sulmin otoman , që ti flisnin shqip dheut të Arbërit !

Po kaq me Nikoll Kazazin, e më vonë Shkollat e Klerit Katolik në Shkodër,Zadrimë e Mirditë prej secilave do dilnin Rilindasit e mëdhenj me Fishtën Mjedën e të tjerë!
Në procesin e Pavarësisë e sidomos kur në Konferencën e Parisit kufijtë tanë rrezikoheshin të t’kurreshin , kur Korça e Gjirokastra lakmoheshin nga Greqia , me apelimin e Fishtes , Luigj Bumçit e Pal Dodes, Papa Benedikti i XV u drejtohej fuqive të mëdha që ato dy qytete ti mbeteshin Shqipërisë.

Eqerem Çabej kultivues ” par excellence” i dijeve të eperme, e la të skalitur në çdo ndergjegje intelektuale se ;
” Qëndrimi i ndërmjemë midis Perëndimit dhe Lindjes, i bashkuar me ruajtjen e ngulur të natyrës së vet etnike, i ka gdhendur Shqipërisë përgjithmonë fytyrën e saj të veçantë. Këtë nuk ka mundur ta fshijë as sundimi turk. Kjo shprehet në krejt mënyrën e jetesës, në historinë dhe në historinë kishtare, në zakone dhe në poezi popullore dhe artistike të popullit shqiptar. Duhet theksuar me këtë rast se Shqipëria ka qenë e orientuar më tepër nga Perëndimi sesa fqinjët e saj. Midis gjithë vendeve ballkanike, edhe Rumania, me gjithë idiomin roman të saj, e papërjashtuar, Dalmacia e Shqipëria, pastaj Ishujt Jonike janë vendet që kanë qenë të çelura direkt e më tepër ndaj influencës kulturore të Perëndimit.”

Me këtë vetëdije prelatet shqiptarë bënë qendrese që lidhja të mos nderpritej me çmimin e gjakut , tortures, vdekjes me dhunë duke i dhënë kombit e kishes martirë të dënjë për ti ndenjur në krah Pjetrit e Palit !

Nuk rrimë dot pa i kujtuar disa prej tyre duke u hyrë në hak qindra të tjerve që si elenkojmë dot !
Imzot Vinçens Prenushin , Imzot Frano Gjinin, At Benardin Palajn, Dom Lazer Shantojen! Marie Tucin, Pader Gjon Shllakun, Pader Mati Prenushin At Anton Harapin, Dom Ndre Zadene, At Çiprian Niken, e shumë të tjerë e po kaq ata që epokat i kaluan burgjeve si At Donat Kurti, At Pjeter Meshkalla, At Marin Sirdani, At Zef Pllumi i konsakruar tashmë si “frati i kujtimeve” me vepren antropologjike “Rrno vetem per me tregue” !

Edhe pse perdja e hekurt ishte e rënde mbi ne, Papa Gjon Pali nga Puglia në vitin 1982 i lëshonte anatemën dhe e paralajmeronte për rënien e saj diktaturen komuniste!

Në 32 vite liri e pluralizem Shteti i Vatikanit është shfaqur në krah të Shqiperise si askush tjeter! Papa Gjon Pali dhe Papa Françesku vizituan Shqiperinë!

Nënë Tereza ajo që më shumë se kushdo pas Shën Françeskut interpretoi doktrinën e Hyut dhe atë të dashurisë, u shpall shenjtore si momenti i dytë kulmor i marrëdhënjes që vjen nga historia dhe punon për të!
I bëj thirrje ketj Kuvendi, Qeverisë Shqiptare ta shpallë Vatikanin partner strategjik si detyrim ndaj shekujve e si nevojë e jona për shekujt që na presin.
Agron Gjekmarkaj

 

Fraksion.com