AktualitetOp-EdTë fundit

Kush do ta ndalojë Edi Ramën!

Nga Dritan Hila

Nëse ka një teknikë të arrirë të Edi Ramës në politikë është ta besojnë kundërshtarët se pasioni i tij është piktura dhe jo politika ku ndodhet rastësisht, çka të jep ndjesinë se edhe mund të hiqet kollaj.

Por nëse është e vështirë të përcaktosh se cili do të jetë vendi i tij në pikturën shqiptare, pasi është një fushë që më shumë se kritikët dhe bashkëkohorët e përcakton koha, Edi Rama është strategjisti më i mirë ndër këta që qarkullojnë në tregun tonë.

Aparencë ekscentrike, profil që diti ta shesë shumë mirë në fillimet e tij, në realitet nuk pati njeri më të përllogaritur dhe duruar në rrugëtimin e tij.

Arritja e parë më e madhe e tij ishte fitorja si kryetar bashkie i Tiranës. Ishte një rrugë e sprovuar në Francë nga disa politikanë që më vonë u bënë presidentë. Por në fshatin e madh Tiranë ku rondokopët e PS ziheshin kush të rrëshqiste ndonjë maunë me cigare në dogana, nuk e kishin mendjen.

E ndërkohë Rama projektoi aty lidhjet me biznesin, aleancat dhe përzgjodhi stafin që në të ardhmen do të ishte edhe magazina nga do të merrte bashkëpunëtorët.

Duke bërë aleanca sa me Metën dhe me Nanon, ai ia doli të mbijetonte në skenën e politikës shqiptare ku talentet digjen me shpejtësinë e flakës së shkrepëses, dhe që të ishte opsioni i vetëm për kryetar në momentin kur në vitin 2005 pushteti i të majtës u rropos nga korrupsioni.

Të përshkruash karrierën politike 24 vjeçare të Ramës nuk është punë që mund të bëhet sot kur ai ende është në zenitin e tij. Por nuk është punë e rastësisë dhe as fat i një piktori që jeta e ngeci në politikë. Rama është këtu ku është sot për shkak se nga të gjithë, ai mendon disa lëvizje më shumë se kundërshtarët. Pa harruar dhuntinë e të shkruarit dhe të batutës politike që e veçojnë prej tyre.

Si të gjithë politikanët edhe ai duhet të ketë fundin e tij në mënyrë që t’i hapë rrugë individëve dhe ideve të reja. Por ky fund që do të korrespondonte edhe me një projeksion të ri për vendin, po vonon të vijë. Kjo ndodh për shkak se ata që janë përballë Ramës janë më të vjetër se ai dhe me një epsh të pashuar për pushtet. Kujdeset edhe vetë Rama që t’i mbajë në skenë.

Fusha e djegur me talente jo vetëm në kampin e PS ku edhe lulëzon ndonjë lule apo shkollë, por edhe në politikën shqiptare ku Berisha së fundmi rrafshoi çdo filiz, ndërsa Meta është kujdesur ta mbushë partinë e tij me kaqolë, është një faktor tjetër që e ndihmon Ramën të rrijë në pushtet.

Nga çfarë mund të rreshtohet në këto arsye të jetëgjatësisë së tij në pushtet, nëse perifrazojmë kinezët, është durimi i tij të presë në breg të lumit kufomat e kundërshtarëve. Dhe jo e fundit dhunti, është të përzgjedhë njerëzit që janë në skuadrën e tij jo sipas shijeve personale (nëse do të nisej nga ato Taulant Balla dhe Arben Ahmetaj nuk do ishin as roje tek PS), por nga pozicioni që iu ka caktuar në skemën e tij.

Pas zgjedhjes së presidentit, Edi Rama është njeriu më i fuqishëm në historinë e vendit, duke u futur në katërshen e Zogut, Hoxhës dhe Berishës. Nëse merr mandatin e katërt bëhet njeriu më jetëgjatë në politikën shqiptare pas Hoxhës. Dhe ndër pak gjëra, e sigurt është që ky është ndër objektivat e tij. Ndërkohë edhe opozita shqiptare po kujdeset t’i lehtësojë punën.

Analistë të politikës mendojnë që përqendrimi i pushteteve do ta shembë Ramën. Në fakt në jetën praktike nuk ndodh kështu. U rrëzua Berisha pasi pushteti i tij ishte tribal. Kurse Rama kujdeset ta shpërndajë. Nga përqendrimi i pushteteve lindin sistemet autoritare. Dhe nuk është e thënë që Rama nuk e ka qejf këtë lloj pushteti. Për më tepër që kjo e ndihmon që të plazmojë një vend sipas vizionit të tij. Dhe ky është i vetmi vizion prej artisti që i ka mbetur piktorit të dikurshëm. Por këtë radhë telajoja e tij janë 28 mijë kilometra katrorë dhe 3 milionë shqiptarë. Vizion që edhe për një kohë të gjatë do të ketë mundësi ta materializojë./dritare.net

 

Fraksion.com