AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Balluku: Miratuam dy parqe të reja fotovoltaike në Korçë

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e fundit dy parqe fotovoltaike që do të ndërtohen në zonën e Korçës me një kapacitet të instaluar prej 20MW.

Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku shpjegoi se këto dy projekte private do të ndërtohen pa mbështetje buxhetore nga shteti.

“Kemi miratuar sot dy parqe fotovoltaike, të cilat do të ndërtohen në qarkun e Korçës, secili nga 20 MW, pa mbështeti financiare nga shteti shqiptar, pra një investim totalisht privat. Është një investim nga entitete vendase, por përkon me një situatë shumë të vështirë sa i përket energjisë elektrike. Shteti shqiptar përfiton nga kjo pasi 2% e energjisë së prodhuar gjatë vitit i jepet shtetit në formë produkti ose në formë pagese, pra në formë të rentës.  ”

Ndërkohë, me vendimin e Këshillit të ministrave tashmë disbalancat që shkaktohen nga prodhuesit me përparësi në sistemin e energjisë do të paguhen nga vetë ata dhe jo më nga operatorët publikë, që kanë mbajtur kostot deri më tani.

“Të gjithë entitetet që prodhojnë energji, pra janë të përcaktuar si prodhues me përparësi të energjisë elektrike do të paguajnë këto disbalanca, që padyshim është një çmim simbolik për sa i përket megavat/orë, por që shëndosh sistemin elektroenergjetik edhe financat e kompanive shtetërore që operojnë në këtë sistem”, tha Balluku.

Një tjetër projektvendim i miratuar  lidhet me një marrëveshje hidrokarbure për vendburimet e gazit natyror në Frakull dhe Polçevë, për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në këto zona.

“Të dyja vendburimet e gazit kanë qenë në pronësi të Albppetrol po i kalojnë entiteteve private për rijetëzim. Vetëm në fazën e eksplorimit janë parashikuar investime prej 500 mijë USD për secilin vendburim, një investim i rëndësishëm në kushtet e krizës”, shpjegoi Balluku.

 

Fraksion.com