AktualitetBota+Të fundit

Superjahti rus do të largohet nga Fixhi

Një gjykatë në Fixhi vendosi që një superjaht në pronësi ruse të hiqet nga ujrat e këtij shteti ishull të Paqësorit nga Shtetet e Bashkuara, sepse ishte një humbje parash për Fixhin për të mirëmbajtur anijen, ndërsa vazhdojnë përplasjet ligjore për konfiskimin e tij.

Grupi i punës KleptoCapture në Departamentin amerikan të Drejtësisë është përqëndruar në sekuestrimin e jahteve dhe pasurive të tjera luksoze të oligarkëve rusë në një përpjekje për të ushtruar presion ndaj Presidentit rus Vladimir Putin për luftën në Ukrainë.

Jahti Amadea, 106 metra i gjatë, mbërriti në Fixhi më 13 prill pas një udhëtimi 18-ditor nga Meksika. Ai u sekuestrua nga autoritetet e Fixhit pasi Gjykata e Lartë e vendit miratoi një fletëporosi të Shteteve të Bashkuara muajin e kaluar që lidhte jahtin me oligarkun rus të sanksionuar Suleiman Kerimov.

FBI-ja ka thënë se anija luksoze prej 300 milionë dollarësh kishte kosto funksionimi prej 25 deri në 30 milionë dollarë në vit dhe Shtetet e Bashkuara do të paguanin për mirëmbajtjen e anijes pasi të kapej.

Sidoqoftë, qeveria e Fixhit e ka përballuar faturën ndërsa një apel nga pronari i regjistruar i anijes, kompania Millemarin Investments, po shqyrtohet në gjykatat e Fixhit.

Gjykata e Lartë vendosi të martën se interesi publik kërkon që jahti “të lundrojë jashtë ujërave të Fixhit”, sepse sipas vendimit, ankorimi i tij në Fixhi po “i kushtonte shtrenjtë qeverisë së Fixhit”.

Anija “lundroi në ujërat e Fixhit pa asnjë leje dhe me shumë mundësi për t’iu shmangur ndjekjes penale nga Shtetet e Bashkuara”, shtoi gjykata.

Shtetet e Bashkuara pretendojnë se zoti Kerimov është pronari i jahtit Amadea, megjithëse avokatët e anijes e kanë mohuar këtë dhe i thanë gjykatës se ishte në pronësi të një oligarku tjetër rus, Eduard Khudainatov, ish-shefi i gjigantit rus të energjisë Rosneft, i cili nuk është sanksionuar.

Muajin e kaluar, një tjetër jaht luksoz me vlerë rreth 700 milionë dollarë që thuhet se është në pronësi të Khudainatovit, u sekuestrua nga policia në Itali.

FBI-ja tha në fletëporosinë e sekuestrimit se jahti Amadea ishte përpjekur të shmangte kapjen “pothuajse menjëherë” pasi trupat ruse hynë në Ukrainë, duke fikur sistemin e automatizuar të gjurmimit më 24 shkurt.

Avokati i anijes, Feizal Haniff, nuk pranoi të komentojë mbi vendimin.

“Vendimi njeh angazhimin e Fixhit për të respektuar kërkesat ndërkombëtare të ndihmës reciproke dhe detyrimet ndërkombëtare të Fixhit”, tha në një deklaratë Drejtori i Prokurorisë Publike të Fixhit, Christopher Pryde.

Ai tha se gjykata ra dakord që “çështjet në lidhje me pastrimin e parave dhe pronësinë” duhet të vendosen në SHBA, ku janë ngritur akuzat fillestare.

“Amadea u është dorëzuar autoriteteve amerikane dhe tani do të largohet nga Fixhi”, shtoi ai.

Ambasada amerikane në Suva nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com