Shpërthimi me lëndë plasëse në lokalin e Noizy-t, zbardhet dëshmia e reperit para policëve
Në orët e para të mëngjesit, lokalit të reperit Noizy në Durrës, i është vënë lëndë plasëse. Raportohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:24.
Dëme ka patur dhe në një butik të marrë me qira nga babai i reperit.
“Më datë 08.06.2022, rreth orës 04:24, në lagjen Nr.13, në një ambient (butik rrobash) të marrë me qira nga shtetasi B.R., ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive. Si pasojë ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin e kapjen e autorit/ve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Lidhur me ngjarjen, Noizy ka dhënë dëshminë e tij duke thënë se ka probleme vetëm me reperin Cllevio, shkruan News24.
Kujtojmë që Noizy dy ditë më parë u përfshi në një sherr me Cllevion, ku dhe videoja e konfliktit fizik u bë virale në rrjet.
Në video shihej qartë Noizy dhe miqtë e tij teksa godisnin Cllevion.
I gjithë konflikti mes palëve ka nisur pas ofendimeve të Cllevio-s kundrejt Noizy-t dhe grupit OTR.
Noizy bëri një reagim pas videos virale, ku shkroi: “Mos ma merr mirësjelljen time për dobësi, gëzoj respekt nga e gjithë bota dhe shpeshherë anashkaloj njerëz pa tru dhe moral. Por kjo s’do të thotë asnjë moment që mund ta teprosh deri në pikën ku ti kushdo qofsh të ofendosh familjen time ose familjarët e rrethit tim, jam djalë me tradita dhe zakone shqiptari. Ju lutem mos e harroni kurrë këtë gjë. Jeta vazhdon”.
Fraksion.com