AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Në dimër, problemi nuk do të jetë çmimi! Nuk do të ketë energji për të blerë

Kryeministri Edi Rama bëri një parashikim aspak të mirë për krizën energjetike duke thënë se me ardhjen e dimrit, problemi do të jetë që nuk do të ketë energji për të blerë.

“Sot jemi në teh thike, por jemi shumë më vulnerabël se shumë të tjerë, ndërkohë që në horizont është një dimër ku problemi nuk do të jetë çmimi i energjisë, por nuk do të ketë energjinë për ta blerë. Nuk kemi luksin të qëndrojmë me kurriz dhe të hapim defterët e konfliktit, ndërkohë që njerëzit duan energji”, tha Rama.

Kryeministr foli edhe për fermerët duke thënë se Ballkani i Hapur është mekanizëm që të gjithë të përballojnë sa më mirë krizat që vijnë për të tjerëve, duke iu referuar këtu edhe luftës në Ukrainë.

“Përsëri si me grurin do të provohet sa e vërtetë është që Ballkani i Hapur është i njerëzve, i familjeve shqiptare, i fermerëve shqiptare. 56.7 milionë euro është sot volumi i eksporteve mes 3 vendeve dhe këtu kam parasysh volumin e fermerëve shqiptarë në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut. Vjet ishte 33.9. Dyfish, ose pothuajse. Pse? Në një kohë problematike kur vetëm çmimi i naftës për fermerët ka pësuar rritje të frikshme, pavarësisht se çfarë kemi bërë për ta subvencionuar, i thyen të gjitha që ngrihen kundër Ballkanit të Hapur që është edhe një mekanizëm për të përballuar më mirë krizat që vijnë prej më të mëdhenjve që kanë arsyen e tyre të mosarsyes për të hyrë në luftëra barbare si kjo e Rusisë në Ukrainë.

Eksportet e dini sa janë rritur mes Shqipërisë dhe Serbisë? 63% plus. Çfarë do të thotë kjo? Fermerët tanë po shesin dhe po fitojnë. Serbia nuk ka hyrë në Ballkanin e Hapur për të humbur, por jemi të gjithë për të fituar me punë, bashkëpunim dhe liri lëvizje”, tha Rama.

 

Fraksion.com