AktualitetPolitikëRajoniTë fundit

“Një nga dëshmitarët më të besueshëm”; Rama: Inkurajuese që ambasadori Chris Hill mbështet “Ballkanin e Hapur”

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, ambasadori Chris Hill me praninë e tij në Samitin e “Ballkanit të Hapur” është një nga dëshmitarët më të besueshëm të domosdoshmërisë së “Ballkanit të Hapur”.

Në fjalën e tij në hapjen e Samitit të “Ballkanit të Hapur” që po mbahet në Ohër, Rama u shpreh se, “mbrëmë kam pasur kënaqësinë që të takoj këtu në vigjilje të Samit të “Ballkanit të Hapur” ambasadorin Chris Hill një ndër veteranët e diplomacisë amerikane dhe pa diskutim një njohës i thellë i rajonit, i cili ka shërbyer në Tiranë, në kohët dramatike të transformimit nga diktatura në demokraci dhe sot shërben në Beograd. Unë besoj se ambasadori Chris Hill me praninë e tij këtu është një nga dëshmitarët më të besueshëm të domosdoshmërisë së “Ballkanit të Hapur”. Ai është këtu për ta mbështetur “Ballkanin e Hapur dhe kjo për ne, për mua personalisht të paktën është shumë inkurajuese”.

Ndërkohë, shtoi Rama, “jam shumë i lumtur që këtu sot me ne janë edhe kryeministri i Mali të Zi, Dritani si dhe Zorani nga Bosnja. Ashtu siç jam i lumtur që sot këtu janë edhe dy miq të rëndësishëm dhe partnerë të pazëvendësueshëm të rrugëtimit tonë, Komisioneri Varhelyi, përfaqësuesi i Komisionit Evropian, drejtpërdrejtë për rajonin tonë dhe miku ynë Gabriel Escobar, i cili është i pranishëm përmes ekranit.

Por, thekoi Rama, “përtej të gjithë miqve dhe partnerëve, të cilët janë shumë të rëndësishëm për ne, “Ballkani i Hapu” është i rëndësishëm për njerëzit tanë. “Ballkani i Hapur” është i rëndësishëm për hapësirën e përbashkët në të cilën lindin fëmijët tanë dhe ën të cilën nesër fëmijët tanë do të marrin në duar fatet e vendeve tona. Dhe këtë e dinë shumë mirë sot fatmirësisht shqiptarët e Shqipërisë, të cilët në Këshillimin Kombëtar që ne bëmë, ku morën pjesë thuajse gjysmë milioni qytetarë ishin mbi 60% në mbështetje të “Ballkanit të Hapur”, një shifër që e kalon mbështetjen që ka qeveria dhe një shifër e cila jam i bindur do të jetë më e lartë, ashtu sikundër do të ishte më e lartë, nëse Këshillimi Kombëtar nuk do të ishte bërë në momentin e fillimit të luftës në Ukrainë, kur filluan edhe zëra të dëshiruar për ta importuar konfliktin nga Ukraina në Ballkan. Përmes një retorike, e cila është absurde dhe e cila, më falni ta them, po është e pështirë”.

“Ne e dimë shumë mirë, nuk kemi pritur luftën në Ukrainë për ta ditur marrëdhënien speciale që Serbia ka me Rusinë. Nuk kemi pritur luftën në Ukrainë për të mësuar se mes Serbisë dhe Rusisë ka një histori. Nuk kemi pritur luftën në Ukrainë për t’u informuar se mes Serbisë dhe Kosovës ka një konflikt ende të pazgjidhur. Këto i kemi ditur që të gjitha. Por midis të qëndruarit me kurriz nga e ardhmja dhe të kthimit të syve drejt të ardhmes, ne kemi zgjedhur këtë të dytën”, tha Rama.

“Dhe sot jemi këtu pikërisht sepse duam të vazhdojmë të shkojmë drejt së ardhmes pa i mbyllur sytë ndaj problemeve ende të pazgjidhura, por të bindur se probleme te pazgjidhura mund të zgjidhen vetëm nëse ne afrohemi. Vetëm nëse ne ditë për ditë kuptojmë më mirë sesa të rëndësishëm jemi për njëri-tjetrin”, theksoi Rama.

Rama u shpreh se, “ambasadori Chris Hill më tha diçka që se kisha menduar asnjëherë. “SHBA-të kanë hedhur 2 bomba atomike në Japoni. Dhe një nga aleancat strategjike më të forta dhe nga miqësitë më të ngushta sot dhe jo sot por prej shumë vitesh në arenën ndërkombëtare është aleanca dhe miqësia e SHBA me Japoninë. Pas 2 bombave atomike. Dhe urdhëroni se ku është sot Japonia. Dhe nuk do ishte sot aty nëse do të vazhdonte ende sot e gjithë ditën të qëndronte me kurriz nga SHBA duke kërkuar më parë që SHBA të uleshin në gjunjë për bombat atomike. Të gjitha gjërat kanë radhën e tyre”.

“Ku janë sot Franca dhe Gjermania. Çfarë po bëjnë sot Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara, pas një armiqësie që është e pakrahasueshme për nga thellësia e saj dhe për nga gjaku i derdhur dhe për nga aktet e çmendurisë me asgjë që ne kemi parë këtu. Janë bashkë, për të përfituar reciprokisht nga shtrëngimi i duarve dhe nga rruga e së ardhmes”, shtoi Rama.

 

Fraksion.com