AktualitetTë fundit

Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës, SPAK kërkon burg përjetë për Festim Bexhdilin

SPAK kërkon burg për jetë për Festim Bexhdili, lidhur me pengmarrjen e Jan Prengës. Sipas Spak, 30-vjeçari dyshohet se ka marrë furgonin nga ambjentet e resortit së bashku me trupin e dyshuar si të pajetë dhe e ka transportuar jashtë ambjenteve ku dyshohet se e ka fshehur kufomën.

Për të bashkëpandehurin e tij, Olsi Turja, i akuzuar për “pengim të zbulimit të të vërtetës” u kërkua një dënim me 3 vite burg. Ndërkohë mësohet se për Gentian Funiqin dhe Dritan Rexhepin çështja është e veçuar. Në seancë ka qenë i pranishëm vetëm Bexhdili. Akuzohet për grup të strukturuar kriminal. Pretenca është dhënë nga Prokuror Behar Dibra dhe Elida Kaçkini.

Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz më 17 Janar 2020, dhe prej gati 2 vitesh trupi i tij nuk është gjetur. Kompleksi ‘Golden’ në Shijak u kthye ne skenën e krimit për Jan Prengën, ndërsa policia me anë të pamjeve filmike provoi praninë e trupit të tij dhe vendosi pas hekurave Leonard Hajri, Bajram Hajri, Festim Bexhdili, Olsi Turja si dhe Ardian Docaj, ndërsa sot në burg ka mbetur vetëm Festim Bexhdili. Tashmë, edhe sipas SPAK, Jan Prenga u ekzekutua me urdhër nga ‘kokat’ e bandës, për shkak të një sasie prej 283 kg kokainë, që vëllai i Jan Prengës, Astrit mbante peng në Angli dhe nuk e tregonte se ku e kishte çuar. Ky i fundit është arrestuar në Angli.

 

Fraksion.com