AktualitetPolitikëTë fundit

“I plotësova një dëshirë një individi”; Meta: Dekreti për Begajn në zbatim të Kushtetutës

Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi në intervistën televizive se, procedura e firmosjes së Dekretit për lirimin nga detyra të Bajram Begajt është vetëm në zbatim të Kushtetutës.

I pyetur në lidhje me deklaratat e kreut të PD, Sali Berisha në lidhje me dekretimin e lirimit të Bajram Begajt nga Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Meta tha se, “çfarë thotë Berisha për dekretin për Begaj, është e drejtë e tij. Nëse ka njeri në këtë tokë më koherent në mbrojtje të Kushtetutës, më falni për modestinë, por ai është Ilir Meta”.

Meta theksoi se, “procedura e ndjekur ka qenë e qartë dhe plotësisht transparente. Procedura e firmosjes së këtij Dekreti është vetëm në zbatim të Kushtetutës”.

Meta sqaroi se, “Dekreti ka ardhur në mënyrë elektronike nga Tirana në Stamboll. Pasi u shqyrtua nga unë dhe pasi e lexova, e firmosa publikisht dhe u dërgua elektronikisht në Tiranë. Çdo veprim i imi ka qenë në përputhje me Kushtetutën dhe në përputhje me ligjin. Në planin kushtetues zero problem, në planin ligjor zero problem, në planin moral zero problem”.

Për dekretimin nga Stambolli, Meta tha se, “vendndodhja ime fizike nuk është e rëndësishme, e rëndësishme është që unë kam respektuar vetëm Kushtetutën e Shqipërisë”.

“Unë i plotësova një dëshirë një individi (z.Begaj) që kërkonte të lirohej nga detyra që mbante, madje dhe kemi komunikuar me zotin Begaj dhe Peleshi për zgjidhjen e kësaj situate” tha Meta.

 

Fraksion.com