AktualitetTë fundit

Atentat në Shkodër, qëllohet 10 herë babai i Indrit Bajrit; Gjendet i djegur automjeti i autorëve pranë Bypassit

Një makinë  e djegur është gjetur në lagjen “Kiras”, e cila dyshohet se u përket autorëve të vrasjes së Naim Bajrit.

Qyteti i Shkodrës është zgjuar sot nga krismat me armë zjarri. Naim Bajri, 68 vjeç u ekzekutua teksa po pinte kafe nga një mjet në lëvizje. Atentati u regjistrua rreth orës 07:20, në vendin e quajtur ‘Merkata e Rusit’, në lagjen ‘Partizani’.

Mësohet se Bajri po pinte kafe me punëtorin e tij Astrit Zeneli, i cili mbeti i plagosur dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. 68-vjeçari punonte pranë ‘Merkatës së Rusit’ ku tregtonte prodhime deti.

Ndaj Bajrit është qëlluar 10 herë, ndërsa autorët pas ekzekutimit janë larguar me mjetin tip ‘Benz’, i cili u gjet i djegur pak më vonë në afërsi të Bypassit të Shkodrës.

Hakmarrja dyshohet të jetë pista kryesore e hetimeve, kjo për shkak se viktimës Naim Bajri në vitin 2001 i kanë vrarë të birin Indit Bajrin. Vrasësit e Indrit Bajrit kanë qenë Xhabir Shega, Ilmir Hajdari dhe Kujtim Barbullushi. Xhabir Shega është ekzekutuar në vitin 2015.

Policia ka ngritur pika kontrolli për kapjen e autorëve, ndërsa vijon krehjen e zonës. Në ndihmë të FNSH dhe Policisë Shkodër kanë shkuar edhe forcat RENA.

Policia: 

.Rreth orës 07:20, në vendin e quajtur “Merkata e Rusit”, në lagjen “Partizani”, Shkodër, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi N. B., 68 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër dhe ka mbetur i plagosur lehtë, jashtë rrezikut për jetën, shtetasi A. Z., 58 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër. Gjithashtu në livadh, në  lagjen  “Guerrile”, Shkodër, është gjetur i djegur një mjet që dyshohet të jetë përdorur nga autorët.

Janë ngritur pika kontrolli dhe po vijon krehja e zonës nga Policia vendore dhe FNSH Shkodër, si dhe janë nisur në drejtim të Shkodrës, grupe të RENEA-s. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

 

Fraksion.com