AktualitetPolitikëTë fundit

Rama merr çmimin prestigjioz “Joan Ganz Cooney Global Leadership Award”

Kryeministri Edi Rama mori sot në New York çmimin prestigjioz “Joan Ganz Cooney Global Leadership Award”.

Rama e mori këtë çmim në darkën vjetore të Sesame Workshop, ku Shqipëria u vlerësua si vendi që mikpriti refugjatët afganë.

“Jam shumë shumë mirënjohës, por jam edhe tejet i keqardhur që më duhet të përsëris diçka që e kam thënë shumë herë, sa në pozitë ndihem. Mos më keqkuptoni, është një nder, nder i madh, e gjithashtu një kënaqësi e madhe që gjendem sot këtu, po nuk arrij dot ende të bëj paqe me faktin që ajo çka duhej të ishte rregulli, është përjashtim”, theksoi Rama në fjalën e tij.

“Më duhet t’ju them, duke qenë se jemi këtu pas dyerve të mbyllura e nuk na dëgjon kurrkush, se ajo çfarë ndjeva përballë kaq shumë hezitimi dhe kaq shumë refuzimesh që vinin nga vende mjaft më të pasura për t’iu hapur dyert afganëve, ka vetëm një emër: “Turp””, tha Rama.

“Shumë njerëz më kanë pyetur “Pse”? Pse do ta bënte Shqipëria këtë? Pse do e merrja unë këtë vendim?”. Ndoshta, edhe në këtë sallë ka njerëz që pyesin veten “pse”, si ndodhi që një prej vendeve më të varfra të Evropës ishte një ndër vendet e para që u hapi dyert njerëzve, që përpëliteshin mes jetës e vdekjes. Përgjigjen e kësaj pyetjeje, e gjejmë në historinë tonë, që është një histori, mikpritjeje, një histori respekti karshi njerëzve në nevojë, një histori e mishëruar në kushtetutën tonë të parë, kodin e shqiptarëve ku shkruhet: “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut””, u shpreh kreu i qeverisë.

 

Fraksion.com