Paralajmërimi i Ministrisë të Jashtme të Ukrainës: Bllokada ruse mund të çojë në zi buke në disa rajone të botës
Bllokada ruse e porteve detare të Ukrainës “mund të çojë në një krizë globale ushqimore dhe, në disa rajone, në një zi buke”, tha të enjten zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko.
“Rreth 22 milionë tonë drithë janë ngecur në porte dhe nuk mund të arrijnë konsumatorët, veçanërisht në Afrikë dhe Azi”, tha Nikolenko, duke shtuar se vetëm rrugët tokësore nuk do ta zgjidhin problemin.
Rusia po “vjedh grurin ukrainas në territoret e pushtuara për t’ua shitur ilegalisht vendeve të treta”, tha Nikolenko.
CNN ka raportuar më parë për disa anije ruse që transportonin grurë të vjedhur ukrainas.
“Ushtria ruse ka minuar zona të detit dhe vazhdimisht po përpiqet të depërtojë mbrojtjen e Odesës dhe qyteteve të tjera bregdetare në Detin e Zi”, pohoi Nikolenko.
Ministria e Jashtme i bëri thirrje Rusisë që të “tërheqë forcat e saj nga ujërat territoriale të Ukrainës” dhe të sigurojë garanci sigurie kundër sulmeve ndaj porteve dhe anijeve.
“Ne u bëjmë thirrje vendeve, siguria ushqimore e të cilave mund të vuajë më shumë nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, që të përdorin kontaktet e tyre me Moskën për ta detyruar atë të heqë bllokadën e porteve detare të Ukrainës dhe t’i japë fund luftës,” tha Nikolenko.
Ukraina po diskuton gjithashtu me partnerët “mënyrat për të krijuar një mision ndërkombëtar” nën Kombet e Bashkuara për “të marrë përsipër funksionimin e rrugëve detare”, tha Nikolenko.
Fraksion.com