AktualitetTë fundit

Mbyllet hetimi për gjyqtaren Anila Guri, vendimi më 10 qershor

Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi seancën gjyqësore publike që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Anila Guri kundër Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Gjyqtarja, Anila Guri, u dëgjua nga trupi gjykues teksa paraqiti kundërshtimet e saj ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për të cilin, pretendoi se është marrë në kontradiktë me provat dhe në mosrespektim të parimit të proporcionalitetit.

Pasi gjyqtarja Anila Guri, deklaroi se nuk kishte kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe ftoi subjektin e rivlerësimit të paraqiste konkluzionet përfundimtare.

Guri i kërkoi Kolegjit, që pas një vlerësimi tërësor, objektiv dhe proporcional të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Anila Guri.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të subjektit të rivlerësimit, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 10 qershor 2022, ora 9:30.

Gjyqtarja Anila Guri (Kristani) e ka nisur karrierën e saj në korrik të vitit 1996 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku ka shërbyer për 23 vite.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi me datë 19.7.2019, shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Anila Guri, me funksion gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

 

Fraksion.com