AktualitetBota+Të fundit

Kush e ka lënë punën për Putinin gjatë luftës?

Dorëheqja e Valentin Yumashev, një këshilltar i Kremlinit që ndihmoi Vladimir Putin të bëhej president, pason disa dorëheqje të tjera të profilit të lartë.

Por asnjë nga figurat vërtet të rëndësishme në shoqërinë e Putinit nuk ka dhënë dorëheqjen që kur ai nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Yumashev është dhëndri i ish-presidentit rus Boris Yeltsin dhe drejtoi administratën e tij në vitin 1997 kur ish-spiuni i KGB-së, Vladimir Putin, u promovua në rrethin qeverisës.

Kush tjetër ka hequr dorë nga shërbimi nën Presidentin Putin që nga shpërthimi i luftës?

Më me ndikim ishte Anatoli Chubais, i cili ishte i dërguari i Putinit në organizatat ndërkombëtare për zhvillim të qëndrueshëm. Ai dha dorëheqjen më 23 mars, por nuk foli për luftën. Ai është më i njohur në Rusi për menaxhimin e privatizimeve të diskutueshme nën Jelcin, që krijoi oligarkë super të pasur, por gjithashtu zemëroi miliona rusë. Ai ishte zëvendëskryeministër dhe më vonë, nën Putinin, drejtoi monopolin shtetëror të energjisë elektrike RAO UES.

Arkady Dvorkovich, një ish-zëvendëskryeministër dhe këshilltar i lartë ekonomik i ish-presidentit Dmitry Medvedev, dënoi luftën në një intervistë me revistën Mother Jones në mes të marsit. Ai tha se “luftërat janë gjërat më të këqija që mund të përballet dikush në jetë… duke përfshirë edhe këtë luftë”. “Mendimet e mia janë me civilët ukrainas.” Mbështetësit e Putinit e kritikuan atë – dhe ai dha dorëheqjen si kreu i fondacionit Skolkovo të mbështetur nga shteti, i cili promovon startup-et e biznesit.

Më 23 maj Boris Bondarev, një diplomat veteran rus në zyrën e OKB-së në Gjenevë, dha dorëheqjen dhe dërgoi një letër të ashpër duke dënuar luftën në Ukrainë. Ai e quajti atë “të përgjakshme, të pamend dhe absolutisht të panevojshme”.

Në mesin e marsit, tre gazetarë të shquar dhanë dorëheqjen nga lajmet e televizionit shtetëror. Korrespondentja e Channel One për Evropën Zhanna Agalakova dha dorëheqjen, ashtu si edhe dy gazetarë të lartë në NTV. Lilia Gildeyeva kishte punuar për kanalin si prezantuese që nga viti 2006 dhe Vadim Glusker kishte qenë në NTV për gati 30 vjet.

Valentin Yumashev, 16 Oct 09

Fraksion.com