Garda Mbretërore e Norvegjisë në Tiranë: Performancë mbresëlënëse në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”
Garda Mbretërore e Norvegjisë, në bashkëpunim me Orkestrën Frymore të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, performuan dje në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. E konsideruar si një nga më të mirat në botë, performanca e tyre u ndoq nga qindra qytetarë në rrugët e kryeqytetit.
Së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe ambasadorë të akredituar në vendin tonë, i pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai theksoi se prezenca e Gardës së Norvegjisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërmjet 1000 eventeve që po zhvillohen në kuadër të Tiranës Kryeqytet Europian i Rinisë.
“Ky është një privilegj për qytetin tonë. Turi i Madhërisë së Tij, Mbretit Haraldi i V, në Shkup, Podgoricë, Zagreb dhe po ashtu në Tiranë, është një manifestim i solidaritetit të Norvegjisë me europianët juglindorë, aleatë, miq, vende anëtare të NATO-s, mbart një simbolikë dhe jep një mesazh të rëndësishëm. Sikurse ka thënë edhe Presidenti Kenedi: Gjeografia na ka bërë fqinjë, historia na ka bërë miq, ekonomia na ka bërë partnerë dhe domosdoshmëria na ka bërë aleatë. Ata që natyra i ka bërë bashkë, mos pastë njeri që t’i ndajë”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë shfrytëzoi rastin për të dhënë mesazhin se paqja nuk është e mirëqenë, ndaj duhet punuar shumë për ta ruajtur atë. “Është një bekim për vendet tona që gjenden në Europë e që të gjendemi mes vendesh që e dinë që nëpërmjet NATO-s, që është aleanca më e madhe mbrojtëse, një sistem mbrojtës epik, ku të gjithë shtetet janë të gatshme për t’u bashkuar dhe për të mbrojtur njëri-tjetrin. Kjo histori që po ndodh gjatë kësaj kohe në Ukrainë, është përshkallëzuar në një mënyrë dramatike, duke parë botën në anën tjetër të Europës, do na bënte të thoshim që asnjë vend nuk është i aftë të shohë dhe vlerësojë vlerat e fqinjësisë së mirë”, tha Veliaj.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi e konsideroi këtë aktivitet vijimin e një raporti shumë të mirë që Shqipëria dhe Norvegjia kanë në fushën e mbrojtjes si aleatë të NATO-s. “Norvegjia ka qenë një mbështetëse e vendosur e procesit tonë të integrimit në NATO dhe një kontribues dinamik në projekte të ndryshme të lidhura me sigurinë dhe mbrojtjen dhe më gjerë”, u shpreh ministri Peleshi. Ai veçoi mbështetjen në përpjekjet për çmilitarizimin përmes fondeve të mirëbesimit të NATO-s PFP, ku Norvegjia ka kontribuar gjerësisht, projektin hidrografik të Shqipërisë në përmirësimin e lundrimit të sigurt brenda ujërave territoriale shqiptare, etj. Po ashtu ministri vlerësoi edhe ndihmën financiare të premtuar nga Norvegjia në Konferencën e donatorëve në Bruksel për rimëkëmbjen e vendit pas tërmetit të nëntorit 2019.
Ambasadori i Norvegjisë, Jens Erik Grondahl, u shpreh i lumtur për partneritetin në shumë fusha mes dy vendeve, teksa veçoi edhe faktin se Shqipëria është kthyer në një destinacion të preferuar për turistët norvegjezë. “Ne po festojmë sonte miqësinë e fortë mes Norvegjisë dhe Shqipërisë. Shqipëria ka bërë shumë transformim, shumë shpejt dhe shumë fort. Është kthyer sot në një partner shumë të mirë për ne, një aleat i fortë po ashtu. Së bashku me Shqipërinë, ne jemi partnerë të fortë gjithashtu në sektorin e energjisë, në atë detar dhe në sektorin e marinës, duke përfshirë disa zona me zhvillim të shpejtë. Shqipëria është gjithashtu një destinacion në rritje për turistët norvegjezë mes vendeve të ndryshme të botës. Nuk është sekret që këta turistë vijnë në Shqipëri për të shijuar vendin. Raportet tregojnë se këta turistë vlerësojnë mikpritjen e njerëzve në Shqipëri, detin e bukur dhe hapësirat e tjera. Gjithashtu ata pëlqejnë ushqimet tradicionale dhe pijet tuaja,” tha Grondahl.
Fraksion.com