AktualitetBota+Të fundit

Britania e Madhe do të furnizojë Ukrainën me sisteme raketash të prodhuara në SHBA

Britania ka njoftuar se do të dërgojë sisteme të sofistikuara raketash me rreze të mesme veprimi në Ukrainë, në koordinim me SHBA-në.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, ka konfirmuar se Britania e Madhe do të dërgojë një numër të paspecifikuar të sistemeve raketore M270, të cilët mund të lëshojnë raketa të drejtuara me saktësi deri në 80 kilometra.

Britania tha se vendimi është koordinuar ngushtë me vendimin e SHBA-së për dërgimin e sistemeve raketore të artilerisë me lëvizshmëri të lartë në Ukrainë. Dy sistemet e raketave janë të ngjashme, megjithëse ai amerikan ka rrota ndërsa ai britanik, gjithashtu i ndërtuar në SHBA, funksionon në shina.

Britania njoftoi se trupat ukrainase do të trajnohen në Britani të Madhe për të përdorur pajisjet.

Ukraina u ka kërkuar aleatëve të saj perëndimorë që të dërgojnë raketa me rreze të gjatë për ta ndihmuar atë t’u kundërpërgjigjet sulmeve artilerike ruse në rajonin lindor të Donbasit, që është në fokus të ofensivës së Moskës.

SHBA-ja tha se Ukraina ka premtuar mos përdorimin e armëve për sulme në territorin rus. Por Rusia akuzoi Uashingtonin se po i “hedh benzinë zjarrit” të konfliktit.

 

Fraksion.com