AktualitetNATO/BETë fundit

Altun për mediat finlandeze: Anëtarësimi në NATO nuk është e drejtë, por privilegj

Shefi i Kryesisë së Komunikimeve në Zyrën e Presidencës të Turqisë, Fahrettin Altun, tha se vetëm qeveria finlandeze mund të vendosë nëse është më e rëndësishme të anëtarësohet në NATO apo të mbrojë strukturat që vrasin civilë dhe marrin pjesë në krimet e grushtit të shtetit në një vend-anëtar në NATO, shkruan Anadolu Agency..

Në një intervistë për gazetën kryesore finlandeze “Helsingin Sanomat”, Altun iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në lidhje me aplikimin e Finlandës për anëtarësim në NATO, përkatësisht qëndrimeve të vendit të tij për këtë çështje.

Duke thënë se Turqia ka mbështetur tradicionalisht zgjerimin e NATO-s, ai tha se vendi i tij ishte i shqetësuar për anëtarësimin e mundshëm të Finlandës dhe Suedisë. Turqia, kujtoi ai, është në një rajon të rrezikshëm dhe të paqëndrueshëm të botës.

“Kërcënimet e PKK-së dhe DEASH-it vijnë nga vendet tona fqinje kufitare të Irakut dhe Sirisë. Në të njëjtën kohë, ka organizata ekstreme të majta si DHKP-C, e cila kreu një sulm vetëvrasës në ambasadën e SHBA-së në vitin 2013. Ekziston edhe FETO. e cila ka depërtuar në institucionet shtetërore në Turqi dhe më në fund ka tentuar një grusht shteti në vitin 2016 për të marrë pushtetin me metoda antidemokratike. Ne duam të shohim hapa konkretë dhe të qëndrueshëm për të parandaluar aktivitetet e organizatave terroriste që kërcënojnë qytetarët turq dhe sigurinë e Turqisë. Presidenti jonë i nderuar ndau qartë dhe pa mëdyshje pritshmëritë tona me presidentin e Finlandës”, shpjegoi Altun.

Altun kujtoi se Turqia është anëtare e kësaj aleance prej 70 vitesh dhe ka ushtrinë e dytë më të madhe në kuadër të aleancës së NATO-s.

“Është e drejta jonë më themelore të presim që vendet me të cilat do të angazhohemi t’i ndihmojmë në rast lufte, të mos mbështesin ose tolerojnë organizatat që shënjestrojnë qytetarët tanë. Si do të ndiheshit nëse një sulm vetëvrasës do të ndodhte në sheshin e Senatit të Helsinkit dhe vendi i cili i trajton anëtarët e asaj organizate si refugjatë politikë apo disidentë dëshiron t’i bashkohet një organizate sigurie, anëtare e së cilës është Finlanda? Prandaj, kjo çështje është thelbësore për ne”, tha Altun.

– “Populli turk nuk shikon më fjalët, por veprat”

I pyetur se nga cili kënd Turqia nuk i pranon përgjigjet e Finlandës për pritjet e saj, Altun tha se “populli turk nuk shikon më fjalët, por veprat”.

Ai shtoi se arsyeja e kësaj krize besimi ishin “veprimet e miqve evropianë në të kaluarën”.

“Për shembull, në samitin e Bashkimit Evropian në Helsinki në vitin 1999, ne morëm një garanci me shkrim për Qipron nga presidenca e Finlandës, e cila kishte mandatin e presidencës. Zyrtarët e BE-së më vonë thanë se nëse grekët qipriotë nuk e miratojnë planin e paqes të Ananit, ata nuk mund të bëhen anëtarë të BE-së. Por më vonë gjithçka u harrua. Situata aktuale është evidente. Ne i kemi shprehur qartë shqetësimet tona dhe mënyrën se si mund të zgjidhen këto shqetësime”, nënvizoi Altun.

Duke u kujtuar gazetarëve se partitë opozitare në Turqi, CHP dhe HDP, kishin kritikuar kundërshtimin e presidentit Erdoğan për anëtarësimin e Finlandës në NATO, Altun tha:

“CHP, një nga partitë opozitare që përmendët, është një parti që ndan ideologjinë dhe botëkuptimin e regjimit të Asadit në Siri. HDP, nga ana tjetër, ka lidhje organike me organizatën terroriste PKK. Vendimet e partisë miratohen nga të besuarit e të ashtuquajturës organizatë dhe zyrat e tyre përdoren nga PKK si qendra rekrutimi. Unë mendoj se akuzat e këtyre palëve, pikëpamjet e të cilave janë të dukshme, janë joserioze. Ne tashmë po ndajmë shumë hapur mosmarrëveshjet tona me SHBA-në. Nuk kemi nevojë të flasim me Amerikën për çështje që kanë të bëjnë me Finlandën apo Suedinë. Fuqia, ndikimi dhe kapaciteti i Turqisë janë të qarta. Rëndësia jonë për NATO-n është e dukshme. Ne nuk presim lëshime, ne po i themi kushtet bazë të anëtarësimit”.

– “Punë në harmoni në luftën kundër terrorizmit”

Altun theksoi gjithashtu se “është e nevojshme të biem dakord që anëtarësimi në NATO nuk është një e drejtë, por një privilegj”. Siç tha ai, problemi që është i pranishëm sot nuk është sepse Turqia nuk e kupton Finlandën, por sepse Finlanda nuk e merr seriozisht shqetësimin për sigurinë e Turqisë.

“Nuk është e pazakontë të kërkohet të ndalohet veprimtaria e një organizate terroriste marksiste-leniniste që vret civilë mijëra kilometra larg dhe rekruton me forcë fëmijë. Të luftosh një organizatë të përfshirë në një grusht shteti në një vend të NATO-s është një kërkesë e drejtë dhe legjitime. Megjithatë, vetëm qeveria finlandeze mund të vendos nëse është më i rëndësishëm anëtarësimi në NATO ose mbrojtja e këtyre strukturave”, nënvizoi Altun.

Ai shtoi në fund se Turqia tradicionalisht mbështet politikën e dyerve të hapura të NATO-s.

“Shqetësimet e Turqisë mund të mos jenë prioritet për popullin finlandez. Mund të argumentohet se organizatat terroriste në fjalë nuk kanë dëmtuar askënd në Finlandë dhe nuk janë përfshinë në dhunë. Megjithatë, ne duhet të pajtohemi se terrorizmi nuk mund të justifikohet kurrë dhe se anëtarët e NATO-s duhet të punojnë në harmoni të plotë në luftën kundër terrorizmit. Përndryshe, anëtarësimi i Finlandës mund të dëmtojë sigurinë e Turqisë dhe identitetin institucional të NATO-s.”/AA

 

Fraksion.com