Kraja: SPAK heton në mënyrë të pavarur, nuk ndikohet nga presionet e politikës
Drejtuesi i Strukturave të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK Arben Kraja në një intervistë ekskluzive për DW, thotë se institucioni që ai drejton, heton i pavarur e nuk ndikohet nga presionet e politikës dhe tregon hartën e shpërndarjes së krimit shqiptar nëpër botë.
Në lidhje me operacion të rëndësishëm pakë ditë më parë nga SPAK, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe me Byronë Kombëtare të Hetimit, Kraja u shpreh se “operacioni “Golden Bullet) ishte një çështje shumë e rëndësishme dhe është një çështje përsëri, sepse vazhdon hetimi dhe duhet të më kuptoni që jemi pak të kufizuar për të dhënë informacion”.
“Megjithatë ajo që mund të them është që kishte një numër të konsiderueshëm vendimesh të miratuara nga gjykata, të cilat kanë konfirmuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, për shumë ngjarje kriminale të ndodhura në vendin tonë në 10 vitet e fundit. Prandaj ne e vlerësojmë shumë të rëndësishme. Pa dyshim që bashkëpunimi me policinë ka qenë shumë i mirë, çështja vazhdon dhe jemi të bindur që do t’i shkojmë deri në fund. Pyetja juaj, nëse ka lidhje të krimit me drejtësinë apo struktura të tjera: nga hetimet tona dalin vazhdimisht lidhje të tilla, sepse kuptohet që gjithmonë krimi mundohet që korruptojë sistemin e drejtësisë për të shpëtuar nga ndjekja penale. Apo mundohet të korruptojë sisteme të pushtetit apo të administratës, për të përfituar diçka në mënyrë të padrejtë. Këto dalin herë pas here në hetime, pa diskutim. Janë edhe të provuara”, tha ai.
Mbi pritshmëritë e qytetarëve për rezultate konkrete, Kraja tha se rezultatet kanë ardhur në rritje.
“Nëse flasim në përgjithësi dhe jo vetëm për këtë çështje, rezultatet konkrete janë të vazhdueshme e kanë ardhur gjithmonë në rritje. Struktura është konsoliduar në mënyrë të vazhdueshme në dy vite e gjysmë aktivitet. Kjo shihet qoftë nga numri i procedimeve të regjistruara, nga numri i vendimeve të dënimit por sidomos nga numri dhe vlera e konsiderueshme e pasurive të konfiskuara që kanë kaluar në favor të shteti”, tha ai.
Mbi sfidat si drejtues i SPAK, Kraja u shpreh se “sfida më e madhe ka qenë pa diskutim ngritja e strukturës, sepse kemi filluar pothuajse gjithçka nga zero, dhe pritshmëria e publikut, sepse ishin në disproporcion me njëra-tjetrën: Pritshmëri shumë e madhe dhe shumë problematika e shumë punë për ta krijuar strukturën. Megjithatë ekipi ka punuar në mënyrë perfekte, me ato mungesa që kemi pasur, me ata njerëz që kanë qenë, dhe ka ardhur gjithnjë në rritje, më i konsoliduar e duke prodhuar një produkt më cilësor”.
Karaja ka folur edhe për mungesat në strukturën e SPAK dhe deklaroi se brenda do të konsolidohemi.
“Përsëri ka mungesa. Numri i prokurorëve nuk është plotësuar, numri i hetuesve është gjysmë për gjysmë. Por jemi drejt fundit dhe besoj që brenda këtij viti do të konsolidohet plotësisht, nga pikëpamja e numrit të punonjësve”, tha ai.
Kraja u ndal dhe tek denoncimet e qytetarëve, ku vë theksin për çështjen e pronave.
“Problematika që lidhen me pronat, janë të pafundme. Problematika që lidhen me abuzimet e administratës, me prokurimet publike, dhe pastaj vijnë problematikat që lidhen me krimin e organizuar”, tha Kraja.
Kraja thekson se, krimi ka ardhur duke u konsoliduar.
“Krimi i organizuar ka ardhur duke u konsoliduar, patjetër. Sidomos e shohim dhe jashtë vendit aktivizimin e tij. Shohim grupe të strukturuara kriminale, të ndërthurura me grupet kriminale të vendeve të tjera. Pra, ka ardhur duke u konsoliduar, por dhe shteti duhet të konsolidojë goditjen e tij. Në këtë sens, ne jemi munduar të rrisim në mënyrë të vazhdueshme së pari besimin e partnerëve në raport me punën që ne bëjmë, e pastaj të punojmë e të koordinohemi me ta në mënyrë të vazhdueshme. Mund t’iu them që për vitin 2021, krahasuar me 2020-ën, është trefishuar numri i kërkesave për ndihmë juridike që ne kemi nga jashtë apo raportet proceduriale me partnerët ndërkombëtare”, shprehet Kraja.
Mbi bashkëpunimet me shtetet e tjera, Kraja pohon se kemi vendosur kontakte që në fillim me Italinë, pa diskutim, sepse jemi më afër. “Kemi kontakte të qëndrueshme dhe të vazhdueshme. Por bashkëpunojmë me Holandën, me Gjermaninë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Britaninë e Madhe, me Belgjikën. Kemi vendosur kontakte të drejtpërdrejta me EuroJust si dhe me rajonin si Kosovë, Maqedoni e Veriut, Rumani”, vijoi ai.
Nëse ndihet i shantazhuar nga apelet që bëjnë politikanët për dosjen si inceneratorët, “21 Janari”, “Gërdeci”, Kraja pohon se prokurorët kanë përpara dosjet dhe po vlerësojnë provat.
“Ky është koncepti ligjor dhe këtë bëjmë çdo ditë. Jo vetëm politika, por ne dëgjojmë çdo ditë njerëz që ankohen, që pretendojnë që duhet hetuar ky rast apo ai rast. Janë në kuadrin e atyre informacioneve që vijnë për t’u vlerësuar. Por e rëndësishme është që secili ka dosjen përpara, është i pavarur në vendimmarrjen e tij dhe vlerëson vetëm provat që janë administruar. Për të gjitha rastet që janë nën hetim apo që vazhdon hetimi, ne kemi dhënë herë pas here njoftime publike dhe kur të ketë një zgjidhje përfundimtare ne do të japim përsëri njoftimin zyrtar se çfarë është bërë me atë rast”, vijoi Kraja.
Përsa i përket pritshmërive të qytetarëve se a do të ketë politikanë të niveleve të larta që do të shkojnë pas hekurave, Kraja theksoi se “mandati im është i lidhur me një periudhë të caktuar kohore. Por ju po kërkoni që të vlerësohen pritshmëritë e publikut për një periudhë 30-vjeçare dhe mungesat që ka pasur publiku, në një periudhë 2 ose 3-vjeçare. Besoj jemi të ndërgjegjshëm që kjo s’mund të bëhet dot. E rëndësishme është që struktura është krijuar, është konsoliduar, është në rrugën e duhur dhe forcohet përditë e më shumë. Kështu që në vijimësi do të ketë rezultate”.
Fraksion.com