“I gjallë në memorien time dhe të të gjithëve”; Berisha homazhe në nder të ish-Presidentit Bujar Nishani
Kreu i PD-së, Sali Berisha është bërë pjesë e homazheve që po mbahen në Presidencë në nder të ish-Presidentit Bujar Nishani.
Një qytetar shembullor, familjar, një prind të shkëlqyer, një bashkëshort fisnik, shtetar shqiptar, njëri prej shtetarëve më dinjitozë në tërë historinë e tij, një nga shërbëtorët më të përkushtuar të shqiptarëve. Në dekada ka qenë një nga bashkëpunëtorët e mi më të çmuar, me të cilin më lidhi jo vetëm bashkëpunimi i ngushtë, por edhe një miqësi e përsosur, një miqësi që nuk njohu ndonjëherë asnjëlloj të themi rënie, përkundrazi erdhi gjithnjë në forcim. Kujtimet për Bujar Nishanin janë të shumta dhe ai sot fizikisht nuk është më midis nesh, por e vërteta është që shpirtërisht ai është i gjallë, është përjetësisht i gjallë në memorien time dhe të gjithë atyre që patën fatin e madh ta njohin si mik si bashkëpunëtor të familjes”, tha Berisha.
Homazhet në nder të ish-Presidentit Bujar Nishani po mbahen këtë të mërkurë në Presidencë.
Arkëmorti është vendosur në sallën “Skënderbeu”, ku familjarët po presin vizita dhe homazhe nga të afërm, miq e dashamirës të ish-presidentit. Homazhet do të zhvillohen për dy ditë me radhë. Të enjten e 2 qershorit në harkun kohor 10:00-12:00 do zhvillohen homazhe sipas ceremonialit dhe protokollit të shtetit.
Arkëmorti i presidentit Nishani do ta lerë Presidencën në orën 12:00 për t’ju drejtuar varrezave të Sharrës për ceremoninë e varrimit.
Ish-Presidenti Bujar Nishani ndërroi jetë në moshën 56- vjeçare. Prej më shumë se një muaji ai u transferua nga spitali “Shefqet Ndroqi” në një spital në Gjermani për një trajtim më të specializuar, por sipas mjekëve atje ra në gjendje kome.
Nishani vuante nga një sëmundje autoimune në mushkëri dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi i Covid-19 i la në organizëm.
Fraksion.com