AktualitetPolitikëTë fundit

“Drejtësia dhe paqja ecin krah për krah”; Presidenca shqiptare e Këshillit të Sigurimit, Rama: Të angazhuar për një të ardhme të përbashkët në paqe

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një videomesazh me rastin e kryesimit nga Shqipëria të Presidencës së Këshillit të Sigurimit të OKB.

“Kjo është dekada e tretë e mijëvjeçarit të tretë. Bota është e trazuar dhe ne vazhdojmë të jemi dëshmitarë të mizorive të papërshkrueshme, në më shumë se pesëdhjetë konflikte përreth globit. Demokracia dhe të drejtat e njeriut po sprovohen rëndë në anë të ndryshme të botës”, ka theksuar Rama.

“U bë shumë gjatë që shohim abuzime masive me të drejtat e njeriut, nga Darfuri në Mianmar, nga Afganistani në Siri dhe bashkësia ndërkombëtare po lufton t’i vendosë autorët e krimeve të rënda para përgjegjësisë”, ka shtuar Rama.

“Në Evropë, plagët e luftërave që pasuan shpërbërjen e Ish-Jugosllavisë, sidomos në Kosovë, janë ende të hapura. Po bëjmë gjithçka mundemi për të ecur përpara pa e harruar të shkuarën, por duke u angazhuar për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët në paqe”, ka nënvizuar Rama.

Rama është shprehur se, “lufta e Rusisë në Ukrainë ka sfiduar sigurinë evropiane dhe ka tronditur rendin botëror bazuar në rregulla. Ne nuk mundemi e nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë”.

“Është urgjente të veprojmë, tani, për viktimat e panumërta të konflikteve të pakuptimta, por edhe për ne, të gjithë, për atë çka besojmë, për atë çka na bën bashkë, për të mbrojtur ligjin, për të ruajtur veprimin shumëpalësh”, ka shtuar Rama.

“Të gjithë ne kemi një rol për të luajtur, pjesën tonë për të përmbushur. Kjo është arsyeja pse ngjarja e parë përfaqësuese e Shqipërisë në presidencën e saj të parë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të kem nderin të kryesoj më 2 qershor, i kushtohet “Forcimit të llogaridhënies dhe drejtësisë për shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare”, ka theksuar Rama.

“Kombet e Bashkuara nuk kanë vlerë më të lartë për të promovuar sesa drejtësia dhe sundimi i ligjit. Shqipëria e promovon atë kombëtarisht dhe e mbron ndërkombëtarisht. Drejtësia dhe paqja ecin krah për krah dhe Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në këtë drejtim. Jemi të privilegjuar që u japim zë bindjeve tona e do ta drejtojmë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me të gjithë vullnetin e pasionin tonë për ato çka besojmë fort”, ka theksuar Rama.

 

Fraksion.com