AktualitetPolitikëTë fundit

“Absurd i paimagjinueshëm”; Rama për Thaçin në Hagë: Fundi do jetë rënia e të gjitha akuzave

Kryeministri Edi Rama tha se nuk beson se do të kishte ndonjë shtet tjetër, qeveri e institucione në një shtet tjetër, që do të pranonin që Presidenti i tyre të mbyllej në Hagë pa akuzë, pothuajse për një vit, siç ka ndodhur me Hashim Thaçin.

Në një intervistë televizive, kryeministri Rama foli për takimin në Hagë me Hashim Thaçin.

Rama tha se arsyeja e vizitës së tij në Hagë ishte sepse e kishte marrë malli dhe këtë kishte plotësuar si arsye edhe te formulari i pranimit të vizitave.

Lidhur me vizitën, Kryeministri shprehu bindjen se ishte gjëja e duhur edhe në aspektin e detyrës, pavarësisht se, siç tha ai, “shtysa e brendshme ishte në radhë të parë në aspektin vëllazëror e miqësor”.

“Hashim Thaçi ishte në superformë fizike dhe emocionale. Mu duk jashtëzakonisht mirë, sikur ishte rinuar. Faktikisht aty ka një jetë, e cila përtej izolimit që është një diçka shumë e rëndë në vetvete me orare, regjim, ushtrime, me lexime, pa ato streset e përminutshme të punës, nuk po them se është më mirë atje se do të ishte në Prishtinë, sepse do të ishte e tepërt, por nga pikëpamja psikofizike mu duk vërtetë super në formë”, tha Rama.

Rama tha se ka ndenjur disa orë me Thaçin dhe ka ka folur për të gjitha gjërat.

“Kemi folur për shëndetin dhe më ka treguar se për herë të parë qysh se ai bën analiza, trupi i tij është me të gjitha parametrat më optimalë. Më ka treguar për stërvitjen që bën, leximet e shumta që bën, kemi folur për libra të ndryshëm. I çova një arkë të madhe me libra, çova një mori librash që kryesisht lidhen me historinë e shqiptarëve, nga ‘Skënderbeu’, librat për Zogun , libra për Ballkanin e kështu me radhë. Besoj se do t’i pëlqejnë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se Thaçi është në Hagë si pjesë e njërës prej historive më të rënda dhe më të dhimbshme, por njëkohësisht edhe më të lavdishme, historia e rezistencës së shqiptarëve në Kosovë, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe historia e çlirimit përfundimtar të Kosovës nga një varësi e cila dukej e pandalshme dhe në luftë me të cilën, në fillim Hashim Thaçi dhe të tjerët në krye të herës, dukeshin komplet Don Kishot. Kur flitej fjala pavarësi e Kosovës ishte blasfemia më e madhe, maksimumi shkohej deri te një autonomi e zgjeruar, pavarësisht se Rrugova kishte edhe ai një linjë shumë të vendosur dhe ishte fati i Kosovës që të kishte nga njëra anë Rugovën dhe nga ana tjetër Thaçin. Histori e lavdishme, por edhe një nga më të dhimbshmet dhe të rëndat”, tha Rama.

Lidhur me procesin në Hagë, Rama tha se “është një gjë që i kalon mundësitë e mia për të kuptuar se çfarë ndodh, sepse të vësh nën akuzë udhëheqësit e një lëvizje çlirimtare, e cila ishte gjithçka, por jo një ushtri e organizuar, njësoj sikur të ishin në zinxhirin e komandës së një shteti dhe potenciali ushtarak të organizuar, është që në start një absurd”.

“Më ka bërë përshtypje fakti se Thaçi tha: ‘nëse do të kthehesha 100 herë pas, 100 herë do të bëja të njëjtën gjë, sepse jam i bindur se ishte gjëja e duhur dhe nëse kjo ishte kostoja që i duhej paguar domosdoshmërisë që të çlirohemi njëherë e përgjithmonë nga të gjitha spekulimet e akuzat e ngritura, sidomos nga famëkeqi Dick Marty, atëherë më vjen mirë që këtë kosto jam edhe unë që po marr pjesë për ta paguar dhe nuk po u ndodh shokëve të mi dhe unë jam i papërfshirë’”, shtoi Rama.

Rama tha se “pretendimet e prokurorisë për ta dënuar 10 vjet janë sa absurde edhe revoltuese, por për pozicionin që unë ndodhem jam i penguar t’i them të gjitha gjërat ashtu si i mendoj”.

“Nuk dua të hyj në komentet për institucionet e Kosovës se nuk më takon. Ka shumë gjëra që do të doja t’i thosha, qoftë për gjykatën, institucionet apo për ata që kanë fërkuar duart këtu në Tiranë kur e kanë parë Thaçin në Hagë por preferoj të mos dal nga kostumi që më mban ngushtë në këtë rast. Është një ngjarje e gjitha që ka brenda një absurd shumë të madh dhe jam i bindur se do të jetë me një fund që nuk ka se si të jetë ndryshe përveçse riafirmim i i drejtësisë së luftës çlirimtare të Kosovës dhe rënie të të gjitha këtyre akuzave. Por do të mbetet sidoqoftë një plagë në lëkurë për të gjithë ata që janë të detyruar të kalojnë përmes atij kalvari me një numër vitesh marramendës dhe krahasuar me çfarë ndodhi me të tjerët më parë që ishin në krye të makinerisë së spastrimit etnik, është komplet sureale dhe e paimagjinueshme”, tha Rama.

Duke folur për vizitën në Hagë, Rama tha se protokolli ishte shumë strikt, por në fund të ditës ai është burg, nuk është as spital, as qendër rehabilitimi.

“Thaçi më tha që të gjithë janë me mendje të fjetur që kjo është për t’u kaluar dhe ne do ta kalojmë dhe kaq. Ishte prekës momenti i pritjes për të ardhur në takim. Ai është njeriu që vjen me orar dhe vonesa kishte të bënte me atë që ai nuk ishte njeri i lirë por i penguar nga procedura të caktuara”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi se e ka takuar Thaçin pas çlirimit të Kosovës, ndërsa në periudhën e parë të luftës nuk ka pasur fatin ta takoj.

“Qysh në sekondën e parë ka qenë një kimi e menjëhershme. Hashimi nuk para flet shumë, flas unë edhe për të, por gjithmonë kemi pasur një kuptim me sy dhe unë e kam çmuar gjithmonë. Ai është një qenie e jashtëzakonshme, me një dhunti të jashtëzakonshme për politikën, aftësi të jashtëzakonshme për të duruar dhe vullnet të jashtëzakonshëm për të arritur qëllimin. Për mua e gjitha kjo është një absurd që duket sikur nuk po ndodh. Të akuzosh UÇK për ndërmarrje kriminale shkon përtej të gjitha llojeve të përpjekjeve për të kuptuar atë që ndodh. Ishte hera e parë që hyja në një burg. Aty po të mos kesh parasysh të gjitha ato dyert që hapen ishte si një spital goxha i mirë si cilësi. Por ato dyert që hapen e mbyllen, ato muret rreth e rrotull, nuk ka asnjë gjë për t’u impresionuar pozitivisht”, tha Rama.

Rama tha se në kushtet e gjithë eksperiencës që Hashim Thaçi ka pasur dhe gjithë rrugës që ai ka ndjekur për të arritur deri në majë të hierarkisë së Kosovës, do të ishte një president i shkëlqyer për Shqipërinë.

“Për Hashim Thaçin do ta kishim të vështirë për shkak të Kushtetutës që e ndalon pasi duhej të kishte jetuar në Shqipëri për 10 vjet. Nëse nuk do të ishte kjo, ai do të ishte presidenti i propozuar nga ne, pa diskutim”, tha Rama.

 

Fraksion.com