Tërheqja nga rekurset, Berisha akuza qeverisë: Grabitje me vendim; Manja: Sa herë flet Saliu…deri në 1.2 mln lekë
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja i është përgjigjur Sali Berishës duke i sqaruar vendimin e Këshillit të Ministrave për heqjen dorë të administratës shtetërore nga rekurset duke thënë se bëhet vetëm në rastet kur padia nuk kalon 40-fishin e pagës minimale. Ministri Manja i thotë se nuk heqin dorë nga çështjet që kanë ndikim ekonomik në interesat pasurore të shtetit.
“Jam i bindur që sa herë flet Saliu për të varfrit, për ish pronarët dhe ish të përndjekurit nuk e merr askush seriozisht se ndryshe flet dhe ndryshe vepron. Ekzaktëisht siç bëri me udhëzimin e Këshillit të Ministrave për heqjen dorë nga rekurset në gjykatën e Lartë. I thirri dhe i mbajti një paradite gazetarët aty për t’i sqaruar një VKM duke dizinformuar opinionin publik dhe këshilluesit. Çfarë është ky udhëzim? Orienton administratën shtetërore të heqin dorë nga rekurset e padepozituara kur vlera e disponimit të padisë nga ana e gjykatës nuk e kalon 40-fishin e pagës minimale. Pra shkon 12 milionë lekë të vjetra Sali. Fiksoje mirë këtë.
Do të hiqet dorë nga ato rekurse kur shteti i ka humbur gjyqet në të 2 shkallët e gjykimit, në shkallë të parë dhe të dytë ku përfituesit nga këto vendime, në vlerë leku janë jo më shumë 40-fishi i pagës minimale. Nuk bëhet fjalë për të hequr dorë nga rekurse që kanë ndikim të madh ekonomik në interesat pasurore të shtetit se nuk kemi luajtur mendsh ne. E dyta hiqet dorë nga rekurset që kanë të bëjnë me njohje, vërtetim vjetërsie në punë, njohje të dhënave të dokumentit, librezë pune, regjistër themeltar, listë pagesa sepse ne në interesin e pensionistëve duam që ta gëzojnë pensionin, prandaj mos dil të flasësh këtu kur dezinformon opinionin publik. Ti e ke zakon, kur të djeg diçka, je gati të djegësh jorganin për një plesht se Shqipërinë ke dhënë prova që e ke djegur sa herë të është dashur”, tha Manja.
Fraksion.com