AktualitetPolitikëTë fundit

Spiropali, takim me Dervishin: Mbështetje për garantimin e të drejtave themelore

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali zhvilloi sot një takim pune me Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi.

Fokusi i këtij takimi ishte forcimi i mbështetjes për garantimin sa më efektiv të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve nëpërmjet zbatimit të legjislacionit në fuqi.

Komisioneri paraqiti një panoramë të kuadrit rregullator për fushat e veprimtarisë, qoftë atë ekzistues ashtu edhe punën për modernizimin e tij. Në lidhje me këtë të fundit, u diskutuan modalitetet për forcimin e bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse për përshpejtimin e procesit të ndryshimeve ligjore, të harmonizuara me standardet më bashkëkohore evropiane.

Në këtë takim u diskutuan edhe çështje të forcimit të kapaciteteve administrative të autoritetit, për të adresuar problematika të konstatuara ndër vite dhe për t’iu përgjigjur zhvillimit ekonomik e shoqëror.

Njëkohësisht, u vlerësuan edhe iniciativa bashkëpunuese për konsolidimin e kulturës së transparencës dhe përgjegjshmërisë së Autoriteteve Publike, në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve dhe garantimit të pjesëmarrjes së qytetarëve në mirëqeverisje.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com