Takimi: Suedia e Finlanda mundohen të bindin Turqinë rreth anëtarësimit të tyre në NATO
Delegacione nga Suedia dhe Finlanda zhvilluan në Ankara bisedime lidhur me kundërshtimet e palës turke për anëtarësimin e tyre në aleancën ushtarake të NATO-s.
Delegacioni suedez, i kryesuar nga Sekretari i Shtetit, Oscar Stenstrom dhe ai finlandez, i kryesuar nga homologu i tij Jukka Salovaara, u takuan me zëdhënësin e presidentit turk Ibrahim Kalin dhe zëvendësministrin e Jashtëm, Sedat Onal, në pallatin presidencial në Ankara.
Në një konferencë shtypi pas bisedimeve që zgjatën rreth pesë orë, Kalin tha se Turqia kishte konstatuar një “qasje pozitive” nga të dy vendet lidhur me për heqjen e kufizimeve për eksportin e armëve.
Megjithatë, ai tha se Turqia nuk do të pajtohet që dy vendet nordike të bashkohen me NATO-n, nëse nuk ndërmarrin hapa të posaçëm për të adresuar kundërshtimet e Ankarasë.
“Ne e kemi bërë shumë të qartë se nëse shqetësimet e Turqisë për çështje të sigurisë nuk plotësohen me hapa konkretë në një afat të caktuar, procesi nuk do të përparojë”, tha Ibrahim Kalin në konferencën e shtypit.
Kërkesat e të dy vendeve për t’u bashkuar me aleancën si mbrojtje kundër agresionit të frikësuar nga Rusia do t’u jepnin fund dekadave të neutralitetit ushtarak. Finlanda – e cila ka një kufi të përbashkë prej 1,300 kilometrash me Rusinë – dhe fqinji i saj Suedia janë shqetësuar nga pushtimi i Ukrainës nga Moska.
Cilat janë rezervat e Turqisë?
Turqia e kundërshton pranimin e vendeve nordike në NATO, sepse mendon se ato mbështesin Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, si dhe milicinë kurde siriane, YPG, të mbështetur nga SHBA. Ankaraja pretendon se grupe të tilla përbëjnë një kërcënim për sigurinë e saj. Ankaraja akuzon të dy vendet se u kanë dhënë një strehë të sigurt anëtarëve të PKK-së dhe refuzojnë të ekstradojnë terroristët. Po ashtu Suedia dhe Finlanda vendosën ndër të tjera edhe kufizime në eksportet e armëve në Turqi pas ofensivës së saj ushtarake kundër YPG-së në vitin 2019.
PKK konsiderohet si organizatë terroriste nga disa vende aleate të Turqisë, përfshirë edhe BE-në. PKK-ja organizon prej dekadash kryengritje kundër Turqisë. Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan ka shprehur personalisht kundërshtimin e thellë për t’i dhënë dritën jeshile zgjerimit të NATO-s, nëse Finlanda dhe Suedia nuk bëjnë lëshime të mëdha.
Kurse kryeministrja suedeze Magdalena Andersson tha në Stokholm se vendi i saj dëshiron t’i “sqarojë” pretendimet e palës turke dhe shtoi se “ne nuk dërgojmë as para, as armë për organizatat terroriste”./DW
Fraksion.com