AktualitetPolitikëTë fundit

Shqipëria prezente me togë në Bullgari, miratohet sigurimi i jetës personelin ushtarak në misione jashtë vendit

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për sigurimin e jetës të personelit të Forcave të Armatosura që shërben në misione dhe operacione ushtarake jashtë vendit.

Në një prononcim për medie pas mbledhjes së qeverisë, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh se “ndonëse një aleat i vogël në madhësi, Shqipëria kontribuon në NATO me një numër të madh personel ushtarak”.

“Ne jemi prezentë në Letoni prej disa vitesh me një togë me rotacion. Jemi me një prezencë të shtuar në Kosovë, në KFOR, dhe i jemi bashkuar politikës së NATO-s për forcimin e krahut lindor të saj, pas agresionit rus në Ukrainë”, tha ai.

Po ashtu, Ministri informoi se Shqipëria do të jetë prezente me një togë në Bullgari.

“Të gjitha këto na obligojnë të jemi më të vëmendshëm për personelin tonë që e ka më të vështirë punën se ne të tjerët, sepse bëhet fjalë për aktivitet ushtarak në një vend jashtë. Ndaj ne kemi miratuar sigurimin e jetës për të gjithë personelin që shërben jashtë”, tha ai.

I pyetur mbi blerjet e raketave antitank, Peleshi tha se “ka qenë e planifikuar para se të fillonte agresioni”.

“Pra nuk ka lidhje drejtpërdrejtë me agresionin, por natyrisht që agresioni rus në Ukrainë na ka vënë para një fakti, shtimin e përpjekjeve dhe buxheteve për modernizimin e FA-së. Në mos ky projekt, projekte të tjera, po, kanë lidhje me agresionin”, tha ministri.

Peleshi informoi se “po shtohen fondet, planet e projektet për një modernizim më të mirë të FA-së, por edhe të përmirësimit të infrastrukturës sonë”.

“Kemi folur dhe bërë të njohur më parë bazën e Kuçovës, një projekt me impakt të rëndësishëm për rritjen e sigurisë së vendit tonë. Shqipëria është e sigurt, është aleate në NATO. Nuk është se kemi një kërcënim konkret para të cilit duhet të përgjigjemi me mjetet tona të brendshme. Ne jemi në NATO dhe artikulli 5 NATO-s mbron çdo pëllëmbë të Aleancës. Nuk bëhet fjalë për një rrezik të vendeve të NATO-s, por nga ana tjetër, NATO për të parandaluar dhe shkurajuar çdo përpjekje që vjen nga lindja, ka forcuar dukshëm krahun e vetë lindor. Krahu lindor i NATO-s në kufi me Rusinë ka një përqendrim forcash që e tejkalon forcën e rivalëve të vlerave tona në lindje”, tha ai.

Peleshi informoi se në mbledhjen e sotme të qeverisë u miratua edhe vendimi për një marrëveshje me partnerin strategjik SHBA që lidhet me ndryshimin e skemës së sigurisë.

“Marrëveshja forcon dhe linjëzon qëndrimin tonë me politikën e SHBA-së në raport me forcat e sigurisë të vendeve të tjera, të cilat janë listuar nga SHBA si problematike apo të papërshtatshme. Ne i bashkohemi kësaj politike për të mos dhënë ndihmë dhe për të mos pasur shkëmbime me këto forca”, tha ai.

Ndërsa projektvendimi tjetër i miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë, sipas Peleshit, ka lidhje me ndërtimin e një mënyre ligjore për hartimin e databazës të humbjeve nga fatkeqësi të ndryshme.

“Baza e të dhënave është shumë e rëndësishme për politikbërjen. Ne e kemi futur Shqipërinë në epokën e një dixhitalizimi të përshpejtuar, pjesë e të cilit është edhe krijimi i bazës dixhitale të të dhënave të cilat aksesohen pastaj nga të gjitha palët e interesuar siç janë në këtë rast bashkitë, prefekturat dhe institucione të ndryshme. Është Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile në bashkëpunim me AKSHI-n ku do të qëndrojë edhe baza e të dhënave, përgjegjëse për hartimin dhe rifreskimin e kësaj baze”,

 

Fraksion.com