AktualitetPolitikëTë fundit

“Dështon Alibeaj”; Zbulohet arsyeja pse grupi nuk nxjerr emër për President, mungojnë 20 firma për një kandidat “konsensual”

Deputetët e grupit parlamentar të cilët deri tani kanë qenë të pranishëm në mbledhjet e Enkelejd Alibeajt, kanë marrë më në fund vendim që të mos ketë kandidat në raundin e tretë.

Gjatë mbledhjes së sotme ka qenë vetë Alibeaj, por edhe deputetët Gazmend Bardhi, Jorida Tabaku dhe Ferdinand Xhaferraj, të cilët janë shprehur se grupi I PD-së nuk mund të bëhet pjesë e lojës së kryeministrit Rama dhe nuk duhet të nxjerr kandidat në raundin e tretë. I gjithë procesi i zgjedhjes së Presidentit brenda opozitës nisi me qëllimin që të paktën në raundin e tretë të ketë një kandidat për President.

Për këtë arsye në mbledhjen e kaluar u propozuan 10 emra, të cilët në fund ngelën gjashtë. Por nga maxhoranca erdhi përgjigjja se janë në pritje që opozita të sjellë një emër për të marrë vendim nëse do ta votojnë. Megjithatë nga ajo që duket qartë tani është fakti se deputetët e PD-së nuk nxjerrin dot një emër Presidenti jo se nuk duan të bëhen pjesë e lojës së Ramës, por për shkak se nuk arrijnë dot të gjejnë konsensus të paktën 20 prej tyre për një emër për President.

Kjo në fakt u pa edhe në mbledhjen e fundit të grupit të PD-së kur 25 deputetë të pranishëm nxorën jo pak por 10 emra për President. Pasi “dështoi” në gjetjen e një emri konsensual brenda grupit, Alibeaj propozoi që opozita të mos jetë pjesë e procesit në raundin e tretë.

 

Fraksion.com