Wolters: Shqipëria, vëllai i madh në rajon i NATO-s
Komandanti i Komandës Operacionale të NATO-s, Gjeneral Tod Daniel Wolters, vlerësoi sot lidershipin e kryeministrit Edi Rama, për të cilën tha se me të në krye dështimi është i pamundur.
Gjatë ceremonisë së mbajtur në Tiranë, për dorëzimin e medaljes “Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike”, nga kryeministri Edi Rama, Komandanti Wolters deklaroi se ajo që ka parë që prej vitit 2016 e deri tani, ishte rritja dhe rritja nën udhëheqjen e kryeministrit Rama në mënyrë të jashtëzakonshme.
“Shqipëria është vëllai i madh në rajonin tonë të NATO-s. Vendet e tjera në rajon ngrihen çdo mëngjes dhe ajo çka bëjnë është të shohin vendin tuaj dhe të dinë se ku do të drejtohen dhe të dinë se çfarë do të bëjnë dhe kjo përgjegjësi është përgjegjësi e jashtëzakonshme”, theksoi ai.
“Kurrë në jetën time të shkurtër, në planetin Tokë, nuk kam qenë kaq i mallëngjyer. Kryeministër kjo është për mua mbledhja e një jete dhe nënkupton kaq shumë me mua dhe dua ta ndaj me pjesën tjetër. Megjithatë do ta nis duke folur për kombin tuaj se si rritet ditë pas dite, për të pasqyruar vlerat tuaja”, tha Wolters.
Sipas tij, Shqipëria është vëllai i madh në rajonin tonë të NATO-së dhe ajo çka bëjnë vendet e tjera është të shohin vendin tonë dhe të dinë se ku do të drejtohen dhe çfarë do të bëjnë.
Dhe kjo, vuri në dukje ai, është një përgjegjësi e jashtëzakonshme.
Ai ndau edhe një histori më kryeministrin.
“Më ka dhënë një prej dhuratave më të menduara që do ta kremtoj gjithë jetën. Disa prej jush kanë ardhur në Belgjikë dhe kanë parë në zyrën time një pikturë që ngërthen kaq shumë marrëdhënien midis SHBA dhe Shqipërisë. Ajo vjen me një histori të mrekullueshme nga kryeministri për sprovat me të cilat përballen kombet dhe sa e rëndësishme është për të ecur në rrugën e duhur. Pra ne do të kemi edhe 100 vjet të tjera edhe më entuziaste sesa 100 vjetët e para të kësaj marrëdhënie shqiptaro-amerikane”, tha Wolters.
Wolters renditi edhe disa prej elementëve që sipas tij, e bëjnë kaq të çmuar mbajtjen e e kësaj uniforme.
“Për shumicën prej nesh, në karrierat tona kërkojmë frymëzim dhe zakonisht frymëzohemi nga qeniet njerëzore unike, për mënyrën e tyre për të përmbushur misionin e tyre duke trajtuar të gjithë me respekt dhe dinjitet. Dhe ju kryeministër, në 61 vite të jetës sime, jeni mishërimi më i madh i kësaj udhëheqjeje. Ju mund të hyni në një sallë drejtuesish të lartë dhe brenda sekondës, secili prej këtyre udhëheqësve kombëtarë kupton se ka një qenie njerëzore të veçantë, unike që mishëron frymëzimin dhe trajton të gjitha qeniet e tjera njerëzore me dinjitet dhe respekt. Në jetën time, Kryeministër, ju jeni ai person. Unë e vlerësoj shumë këtë frymëzim dhe kur ke një udhëheqës kombëtar që bën atë çfarë ju po bëni për këtë komb që është i frymëzuar që të ndryshojë përsëri, të përshtatë dhe në fakt duke trajtuar njerëzit me dinjitet, respekt është frymëzuese ajo çfarë merr dhe të shohësh Shqipërinë të rritet, të shohësh lidershipin e dëshmuar në një periudhë kaq të shkurtër kohe, për mua nga 2016 deri në 2022 është e jashtëzakonshme dhe për shumë prej jush këtu në këtë sallë, ju jeni angazhuar me të gjitha mundësitë me djersë, por ajo kryesore ishte Defender 2021 dhe tregoi forcën dhe muskujt e këtij vendi dhe për shumë prej nesh ka qenë privilegj i veçantë që të ndanim kohë me ju ballë për ballë dhe ju na keni dhuruar shumë kohë dhe kryeministër, kjo për ne ka qenë shumë frymëzuese”, theksoi ai.
Gjenerali i NATO-s përgëzoi kryeministrin Rama duke i vënë në dukje se ka futur një element, që siç theksoi ai, mban peshën kryesore, kur bëhet fjalë për të arritur sukses.
“Kemi anijet më të mira, kemi avionët më të mirë, kemi pajisjet më të mira, kemi software më të mira. Kemi planifikuesit më të mirë, planet më të mira, por pa udhëheqjen e jashtëzakonshme njerëzore do të dështonim dhe kryeministër me ju në krye ky dështim është i pamundur. Ju falenderoj shumë që më frymëzuat mua si qenie njerëzore dhe që frymëzuat kaq shumë të tjerë dhe pres me padurim që ju edhe unë të bëhemi së paku 100 vjet që të vazhdojmë ta kremtojmë këtë marrëdhënie”, përfundoi Wolters.
Fraksion.com