Rama nderon me “Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike”, gjeneralin e NATO-s: Plan për bazë detare në Shqipëri
Kryeministri Edi Rama i dorëzoi sot medaljen “Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike”, Komandantit të Komandës Operacionale të NATO-s, gjeneral Tod Daniel Wolters.
Rama i dorëzoi medaljen e lartë gjeneralit Wolters me motivacionin: “Me mirënjohjen e thellë për vizionin, kontributin dhe bashkëpunimin me Forcat e Armatosura shqiptare, si dhe për mbështetjen e rolit të Shqipërisë në ruajtjen e paqes e sigurisë rajonale”.
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama tha se “gjenerali ka një vend të posaçëm, nuk po e them këtë për shkak të rrethanave apo rasti e do se duhet ti them ca fjalë. Ishim ne që donim këtë, nuk na u kërkua ta bënim këtë gjë, ndonjëherë na kërkohet sigurisht, ndonjëherë duam ne diçka, dhe donim që të shprehnim përgëzimet tona posaçërisht gjeneralit Wolters, si një prej personave më të shquar që ka përfaqësuar në më të mirën e vet këtë marrëdhënie”.
“Gjenerali Wolters veçanërisht jo vetëm ka qenë mbështetës, por edhe i prirur të tregojë me vepra e jo me fjalë që e ka për zemër këtë marrëdhënie dhe fjala ‘për zemër’ është diçka që e vlerësoj shumë, sidomos në marrëdhëniet ndërkombëtare të këtij vendi që në fund të fundit kanë të bëjnë me njerëzit. Forcat e Armatosura kurrë nuk do të harrojnë se ishte pikë së pari gjenerali Wolters që qysh prej ditës së parë mbështeti transformimin e bazës ajrore të Kuçovës në një bazë taktike të NATO-s, si dhe mbështeti që prej ditës së parë Shqipërinë si një prej vendeve pritëse të stërvitjes “Defender Europe””, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se, “edhe më shumë se kaq ishte gjenerali Wolters, që përkrahu dhe mbështeti qysh prej ditës së parë që Shqipëria të kishte selinë e forcave të speciale të komandës së SHBA-së në Evropë”.
Më tej, Rama tha se “është hera e parë kjo që personi që nderojmë sot është ‘Gjeneral’, për mua nuk është hera e parë, por ndoshta e fundit që kam privilegjin të dekoroj një gjeneral. Gjenerali u tregua shumë i sjellshëm duke më thënë që ka marrë çdo yll e medalje që shteti amerikan mund t’i jepte. Shtimi i një tjetër embleme në uniformën e tij është një privilegj i jashtëzakonshëm. Ky është një moment për të kremtuar miqësinë e çmuar me aleancën më të çmuar që ky vend ka pasur fatin të ketë që është miqësia dhe aleanca me SHBA”.
“Miqtë tanë evropianë ndiejnë një lloj kureshtie se si ndodh që Shqipëria e shqiptarët janë proamerikanë. Jam i sigurt, që nëse disa prej tyre nuk janë familjarizuar me historinë tonë mund t’u dukemi budallenj. Por jo, ne mund të jemi gjithçka, por nuk jemi budallenj. Ne jemi këtu në këtë pjesë historie të lidhur kaq fort me këtë aleat e këtë mik, falë edhe një pjese tjetër të historisë që ndërpreu këtë marrëdhënie, e cila këtë vit shënon 100-vjetorin e saj. Është 100-vjetori i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane që e patën pikënisjen 100 vjet më parë, si njohje zyrtare në nivel marrëdhënie diplomatike, por që u ndeshën me gjysmë shekulli heshtje nga pala amerikane dhe gjysmë shekull zhurmë të stërmadhe nga ana jonë. Pasi duke qenë krejtësisht e izoluar dhe që u shndërrua gati në Korenë e Veriut të Evropës asokohe, ne e nisëm atje ku e lamë në vitin 1991 dhe tashmë është vendosur një gur themel i ri ku ne mund të kremtojmë raportin më të thellë e të frytshëm, raportin mes SHBA dhe Shqipërisë”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “ndoshta Forcat e Armatosura janë shprehja më e mirë e rrugëtimit tonë për të mësuar, shoqëruar, nga miqtë e aleatët amerikanë, brenda NATO-s dhe në nivel dypalësh. Nëse sot Forcat tona të Armatosura kanë shkuar në një nivel që edhe ata më optimistët nuk do të kishin mundur ta përfytyronin 10, 20 apo 30 vjet më parë, kjo ka ndodhur falë miqve e aleatëve tanë amerikanë”, tha Rama.
Nga ana tjetër, vijoi Rama, nëse kemi qenë në gjendje të kuptojmë ngadalë, por me vendosmëri se kemi potencial për të shfaqur në aleancë së bashku me të gjithë nxitjen e shtysën e e saj për të luftuar për atë që është e drejtë, kjo është së pari e mbi të gjitha, rrjedhojë e inkurajimit, fuqisë dhe solidaritetit që kemi pasur mundësi të perceptojmë nga miqtë dhe aleatët tanë amerikanë.
Kryeministri Rama tha se kemi disa ide të mira dhe ajo që është më rëndësi kemi disa miq të mirë dhe jemi shumë besimplotë që mund të gjejmë vendin tonë për të qenë vlerë e shtuar në këtë aleancë.
“E lashë për këtë moment qe t’i them Gjeneralit që nesër do të kemi mundësi t’i tregojmë disa prej ideve dhe në këto kohë mjaft specifike, mjaft të rrezikshme ai do të konsiderojë, ndoshta nuk është ide e keqe për të pasur një bazë detare të fjalës së fundit të NATO-s në Shqipëri. Na takon t’i paraqesim projektin atij dhe t’i tregojmë për çfarë kemi punuar dhe më pas ai sërish qysh prej fillimit do të jetë avokati dhe mbështetësi i kësaj ideje”, tha Rama.
Duke iu referuar luftës në Ukrainë, Kryeministri Rama deklaroi se “jemi radhitur në anën e duhur të historisë dhe jemi qysh kemi qenë që në krye të herës, të pozicionuar krah aleancës për të qenë kudo e kurdo është nevoja, në momentin e duhur në vendin e duhur për të luftuar çdo forcë që kërcënon jetesën tonë, botën së cilës i besojmë, të ardhmen e brezave që vijnë”.
Fraksion.com