AktualitetNATO/BETë fundit

Komandati Wolters vizitë lamtumire në Shqipëri, Peleshi: Rol të rëndësishëm në modernizimin e FA

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi priti në një takim lamtumire komandantin Suprem të Fuqive Aleate në Evropë, gjeneral Tod Wolters.

Pasi i uroi mirëseardhjen, ministri Peleshi e falënderoi gjeneral Wolters për kontributin dhe përkushtimin e tij, jo vetëm gjatë periudhës 3 – vjeçare si Komandant Suprem i Fuqive Aleate në Evropë, por edhe për sakrificat dhe dedikimin, përgjatë gjithë karrierës së tij të spikatur 40 – vjeçare, karrierë e mbyllur me sukses në detyrën ndoshta më të lartë për një ushtarak.

Gjithashtu, zoti Peleshi vuri në dukje dhe e përgëzoi gjeneral Wolters për lidershipin e treguar gjatë kësaj periudhe të trazuar, mes pasigurive në të cilat po kalon kontinenti ynë, duke dëshmuar edhe një herë solidaritetin, unitetin dhe vendosmërinë e Aleancës për të mbrojtur çdo centimetër katror të territorit të saj, vlerat demokratike dhe lirinë e popujve të saj, të fituara nëpërmjet përpjekjeve të shumëfishta.

Më tej, ministri Peleshi u ndal te roli që gjeneral Wolters ka luajtur në mbështetje të Forcave të Armatosura të RSH, në kuadër të modernizimit të tyre, rritjes së kapaciteteve operacionale dhe ndërveprueshmërisë. Shembulli konkret i kësaj mbështetje dhe vëmendje, ishte zhvillimi në vendin tonë i stërvitjes “Defender Europe 21”, të cilën gjeneral Wolters pati rastin t’a inspektojë nga afër, por dhe për zhvillimin e projektit të NATO për modernizimin e Bazës Ajrore të Kuçovës.

Nga ana e tij, gjeneral Wolters e falënderoi ministrin Peleshi për vlerësimet dhe fjalët e mira dhe më tej u ndal në transformimin impresionues të vendit tonë, në tërësi dhe në veçanti, në standardet më të larta, që ushtarakët shqiptarë demonstrojnë në çdo angazhim të Aleancës, si edhe në kuadrin dypalësh me homologët e tyre të SHBA. Ai tha se është krenar që ka punuar ngushtësisht me një vend, i cili vërtet është i vogël gjeografikisht, por është një vend me vlera dhe orientim perëndimor dhe një aleat i vyer i Aleancës dhe SHBA në veçanti.

Në fund të takimit, ministri Peleshi e uroi gjeneral Wolters për përmbylljen me nder dhe sukses të karrierës së tij.
Në tri vitet e fundit, kjo është vizita e tretë e gjeneral Wolters në vendin tonë, që sipas ministrit, dëshmon se ai është dhe do të mbetet një mik i madh i Shqipërisë dhe Forcave të saj të Armatosura.
Komandanti Suprem i Fuqive Aleate në Evropë, gjeneral Tod Wolters u prit në një ceremoni të veçantë edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili i akordoi medaljen “Ylli i madh” për kontributin e dhënë në mbështetje të Forcave të Armatosura shqiptare.

 

Fraksion.com