AktualitetNATO/BERajoniTë fundit

Drejtori i Përgjithshëm i Shtabit Ushtarak Ndërkombëtar të NATO-s viziton Serbinë

Nga 23 deri më 25 maj 2022, Drejtori i Përgjithshëm i Shtabit Ushtarak Ndërkombëtar të NATO-s, gjenerallejtënant Hans-Werner Wiermann ishte në Serbi, ku u takua me zyrtarë serbë, duke përfshirë ministrin e Mbrojtjes, z. Nebojsha Stefanoviq, sekretarin e Shtetit nga Ministria e Punëve të Jashtme, z. Nemanja Staroviq dhe shefin e Mbrojtjes, gjenerali Milan Mojsiloviq. Drejtori i Përgjithshëm u takua edhe me shefin e Zyrës së Ndërlidhjes Ushtarake të NATO-s, gjeneral brigadeAntonello Zanitti.

Gjenerallejtënant Wiermann e nisi programin e tij me një vizitë në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, ku u takua me gjeneralin Mojsilović. Diskutimet u fokusuan në situatën aktuale të sigurisë globale dhe rajonale, bashkëpunimin e deritanishëm NATO-Serbi dhe modalitetet e zgjerimit të mundshëm të tij.

Wiermann përgëzoi gjeneralin Mojsilović për “shërbimin e Forcave të Armatosura Serbe dhe profesionalizmin e tyre dhe, për bashkëpunimin shembullor ndërmjet Autoriteteve Ushtarake Serbe dhe Komandantëve të Misionit KFOR të NATO-s”.

Në takimin me ministrin e Mbrojtjes, z. Nebojsha Stefanoviq, Drejtori i Përgjithshëm theksoi rolin që Serbia luan në rajon. “NATO ka respektuar gjithmonë neutralitetin ushtarak të Serbisë, duke njohur rolin stabilizues që ajo luan në rajon”, shtoi ai.

Më vonë, duke u ulur me Sekretarin e Shtetit nga Ministria e Punëve të Jashtme, z. Nemanja Staroviq, Drejtori i Përgjithshëm komentoi partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet NATO-s dhe Serbisë. “Gjatë 15 viteve të fundit, Serbia dhe NATO kanë krijuar një partneritet shumë konstruktiv. Jemi mirënjohës për komunikimin e hapur me Serbinë që na ndihmon të mbajmë të qëndrueshme situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, theksoi ai.

Gjenerallejtënant Wiermann e përmbylli vizitën e tij duke u takuar me shefin e Zyrës Ndërlidhëse Ushtarake të NATO-s, gjeneral brigade Zanitti. E themeluar në dhjetor 2006, Zyra Ndërlidhëse luan një rol vendimtar midis NATO-s dhe autoriteteve serbe, veçanërisht në lehtësimin e bashkëpunimit serb me Aleancën në kuadër të Programit të Partneritetit për Paqe dhe mekanizmave të bashkëpunimit të vazhdueshëm ushtarak.

 

Fraksion.com