AktualitetPolitikëTë fundit

Rama inspekton pastrimin e bregdetit në Durrës: Plazhe më të pastra

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Durrës, ku po vijon Plani i Pastrimit Kombëtar për t’i dhënë dorën e fundit pastrimit të bregdetit përpara datës 1 qershor edhe me ndihmën e forcave të ushtrisë.

I shoqëruar nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, Kryeministri Rama ndoqi nga afër momente nga aksioni i pastrimit në territor.

Rama siguroi se “numrit më të lartë të turistëve do t’i përgjigjemi me plazhe më të pastra”.

”Besoj se ky do të jetë sezoni më i pastër, edhe për shkak të punës së jashtëzakonshme që është bërë edhe për shkak të suportit financiar që është vendosur për t’i ardhur në ndihmë bashkive bregdetare, të cilat përjetojnë në sezonin turistik shumëfishimin e popullsisë dhe një ngarkesë ekstra që nuk përballohet dot me tarifat normalë që kanë”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se “është thelbësore që të gjithë të marrin pjesë në këtë përpjekje, ku nëse nga ana e bashkisë ka përpjekje për ta pastruar, të tjerët duhet të jenë për të mos ndotur”.

“Ky është elementi i parë i abetares së patriotizmit, të mos ndotim shtëpinë tonë. Do të vazhdojmë t’i rrimë mbi kokë kësaj pune, derisa të mbyllet gjithë sezoni, i cili me gjitha gjasat do të jetë edhe sezoni me fluksin më të madh dhe me konsumin më të madh”, tha ai.

Ministrja Kumbaro u ndal te puna e madhe që është bërë gjatë këtyre 6 muajve.

Sipas saj, sfidë mbetet ndryshimi i sjelljes së qytetarëve sepse, siç tha ajo, “ne i pastrojmë dhe ata kthehen prapë dhe ndotin ambientin”.

“Sfida më e madhe është puna që na duhet të bëjmë me ndryshimin e mentalitetit. Kjo është beteja e këtij mandati”, tha ministrja.

Nga nisja e aksionit, sipas saj, janë pastruar 100 mijë tonë mbetje në territor.

“Vetëm për qarkun e Durrësit kemi hequr rreth 10 mijë tonë mbetje. Kemi stacione plazhi të pastra dhe po pastrojmë venddepozitimet ilegale. Sot që flasim forcat e ushtrisë janë të dislokuara në gjithë bregdetin. Tani nuk ka më asnjë arsye të kemi ndërtime pa leje të bareve në territorin e plazheve, pasi kemi filluar punën shumë herët për stacionet e plazhit dhe kemi formalizuar sistemin”, tha Kumbaro.

Sipas ministres, “bashkitë kanë 10 milionë euro më shumë në zërin e tyre për menaxhimin e mbetjeve”.

Nga ana e tij, ministri Peleshi theksoi se në gjithë zonën bregdetare por edhe liqenore janë angazhuar 750 trupa.

“Kemi forca të shumta për të krijuar një dorë të fundit të pastrimit të territorit”, tha ai.

Për të mundësuar një Shqipëri të pastër e dinjitoze u ndërmor Plani Kombëtar i Pastrimit, i cili nisi më 7 nëntor 2021 në Vlorë dhe ka përfshirë të gjithë territorin e vendit nga veriu deri në jug.

Plani i pastrimit ka vijuar pa u ndalur për muaj me radhë në çdo cep të territorit, sepse nuk është një aksion por një operacion sistematik e i gjatë, të cilit i duhet shkuar deri në fund.

Ndonëse sezoni turistik nisi zyrtarisht në maj, puna ka filluar që në tetor në një bashkëpunim të ngushtë midis instancave bashkiake, ministrive, subjekteve private dhe qytetarëve.

 

Fraksion.com