AktualitetBota+Të fundit

Ofensiva turke kundër militantëve kurdë në Irak

Turqia është zotuar se do ta shkatërrojë praninë e grupit militant të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, PKK në Irak. PKK-ja e ka përdorur Irakun fqinj si bazën kryesore në luftën e saj për të drejta më të mëdha të pakicave në Turqi.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones nga Stambolli, ndërsa ushtria turke e ka ngushtuar rrethin e grupit militant, analistët paralajmërojnë se PKK-ja mund të vendoset në Iran, duke sjellë ndërlikime për të gjithë rajonin, përfshirë edhe forcat amerikane në Siri.

Të mbështetura nga ajri, forcat turke po dëbojnë grupin militant kurd PKK nga bazat e tij në Kurdistanin irakian. Për dekada, rajoni malor i ka ofruar grupit militant kurd të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit një strehë për të ndërmarrë sulme në betejën për të drejta më të mëdha të pakicave kurde në Turqi.

Ndërsa Presidenti Rexhep Tajip Erdogan pretendon se ka mbështetjen e forcave lokale kurde të Irakut, selia qendrore e PKK-së që dikur konsiderohej e pathyeshme në malet e Kandilit, tani është vënë në shënjestrën e forcave turke.

Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Aydin Selcen, ish-kreu i konsullatës së Turqisë në Kurdistanin e Irakut

 “Kur duan të thonë diçka, politikanët përdorin simbole. Kur thuhet se Kandili është objektivi, apo synimi përfundimtar, kjo nënkupton se synimi është eleminimi i egzistencës së PKK-së”.

Bazat e PKK-së janë në malet Kandil në kufi me Iranin. Ndërsa ushtria turke intensifikon ofensivën, disa analistë sugjerojnë se PKK-ja mund t’i drejtohet Iranit për mbështetje. Pavarësisht problemeve me pakicën e tij kurde, Teherani në të kaluarën ka gjetur gjuhë të përbashkët me PKK-në, ndikimi i së cilës shtrihet tek kurdët irakianë dhe sirianë.

Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Huseyin Bagci, president i Institutit të Politikës së Jashtme, një organizatë kërkimore në Ankara.

“Në vitet 1980-90, Irani e mbështeti fuqishëm PKK-në. Tani kur rusët janë jashtë skenës, jo aq të fortë, ndoshta Irani do të zërë vendin e tyre dhe PKK-ja dhe PYD-ja sigurisht që do të përpiqen ta përdorin PKK-në si një levë në marrëdhëniet e tyre me Turqinë”.

Vëzhguesit theksojnë se grupet e armatosura irakiane të mbështetura nga Irani, si PMU, tashmë kanë kontakte me grupet e lidhura me PKK-në.

 “Brenda kufirit të Irakut në zonën Sengal Sinjar, PMU-ja dhe YBS-ja, degë e PKK-së në zonë, kanë marrëdhënie miqësore, ose ndoshta varen nga njëra-tjetra. Pra, për të mbijetuar, të gjithë këta aktorë vendas do të kenë nevojë për aktorë më të mëdhenj si Turqia, Irani apo fuqitë globale si Shtetet e Bashkuara”, thotë për Zërin e Amerikës diplomati turk Aydin Selcen.

Në Siri, forcat kurde të lidhura me PKK-në bashkëpunojnë me forcat amerikane në luftën kundër grupit të Shtetit Islamik. Për Teheranin, i cili mbështet regjimin e Damaskut, thellimi i bashkëpunimit me PKK-në ofron mundësinë për të minuar praninë amerikane në Siri.

Por çdo bashkëpunim iranian me PKK-në do të kërkonte një veprim të ekuilibruar. Zaur Gasimov është hulumtues në departamentin e historisë pranë Universitetit të Bonit.

“Lidhjet ndërmjet PKK-së dhe Teheranit mund të jenë të matura dhe ndoshta do të thellohen. Por nuk mendoj se Teherani do të bëhet promovues ose mbështetës i PKK-së në rajon, duke rrezikuar marrëdhëniet me Ankaranë”.

Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Iranit shpesh karakterizohen si një kombinim i konkurrencës dhe bashkëpunimit, me ekonominë e rrënuar iraniane që mbështetet kryesisht tek tregtia me Turqinë, një pikë që Presidenti Erdogan ka të ngjarë ta theksojë gjatë vizitës në Teheran pas disa javësh./ VOA

 

Fraksion.com