AktualitetRajoniTë fundit

“Ndizen gjakrat mes Turqisë dhe Greqisë”; Erdogan: Mitsotakis për mua nuk ekziston

Tensionohet sërish situata mes Turqisë dhe Greqisë. Një deklaratë e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan i kanë nxehur më shumë gjakrat.

Sulmi i Erdogan erdhi menjëherë pas vizitës së Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis në SHBA.

Aq i irritur duket Erdogan sa ka kaluar në nivel më të lartë të retorikave duke ndërprerë çdo kontakt mes dy vendeve.

Ai deklaroi, “Mitsotakis nuk ekziston më për mua. Nuk pranoj ta takoj. Sepse ne ecim përpara me politikanë me personalitet dhe dinjitet që e mbajnë fjalën. Ne kishim rënë dakord që të mos përfshinim vendet e treta në mosmarrëveshjet tona. Por pavarësisht kësaj, ai në një vizitë në SHBA javën e kaluar foli në Kongres dhe i paralajmëroi të mos na jepnin F-16”, ka deklaruar ai në fjalën e tij pas mbledhjes së kabinetit.

Erdogan ka shprehur gjithashtu shqetësimin e tij për praninë e të paktën 10 bazave amerikane në Greqi duke mos kuptuar arsyen e ekzistencës së tyre në një moment që vendi u ka borxh shteteve të BE-së. 400 miliardë euro.

Duke komentuar këtë qëndrim, që e ka quajtur ekstrem nga ana e presidentit Erdogan, zëdhënësi i qeverisë, Jorgos Oikonomou ka theksuar se Greqia nuk futet në një lojë deklaratash me lidershipin turk.

“Kryeministri Kyriakos Mitsotakis mbron fuqishëm dhe në mënyrë efektive si ligjin tonë kombëtar ashtu edhe legjitimitetin ndërkombëtar. Politika e jashtme greke bazohet fort në histori, të drejtën ndërkombëtare dhe aleancat tona, sado që kjo i shqetëson disa. Politika jonë është një politikë parimesh”, ka thënë ai.

Sipas qarqeve qeveritare nuk përjashtohet përsëri një verë e “nxehtë” si ajo e dy viteve më parë mes Athinës dhe Ankarasë, pasi klima e mirë nga takimi në Stamboll dy muaj më parë i përket së shkuarës tashmë.

Situata e krijuar pritet që të reflektohet edhe në axhendat e parashikuara.

 

Fraksion.com