AktualitetKosovaTë fundit

Kosovë: Shkatërrohen dy laboratorë narkotikësh – dhjetë të arrestuar

Policia e Kosovës tha të hënën se ka shkatërruar dy laboratorë narkotikësh, një në një fshat në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe dhe një në Ferizaj rreth 40 kilometra në juglindje të Prishtinës.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se në vendin e quajtur Izvor në veriun e Kosovës, jo larg kufirit me Serbinë “policia zbuloi laboratorin e kultivimit të marihuanës me mbi 10,000 fije bimë të gatshme për t’u shitur ilegalisht në treg”.

Gjatë operacionit janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri por nuk ka pasur të plagosur apo dëme materiale.

“Pas shkatërrimit të laboratorit në veri të vendit, Izvor, vlera e drogës së konfiskuar e cila tashmë po shkatërrohet ka rezultuar në vlerë 6 milionë euro ndërsa vlera e pajisjeve 1.5 milionë euro”, shkroi ministri Sveçla.

Operacioni u mirëprit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në një operacion në Ferizaj, ndërkaq policia tha se arrestoi dhjetë persona dhe konfiskoi mbi 68 kilogramë lëndësh narkotike, pasi shkatërroi një laborator të drogës sintetike.

“Kjo lloj droge është jashtëzakonisht e rrezikshme për shëndetin dhe jetën e njeriut”, shkroi ministri i Brendshëm./VOA

 

 Fraksion.com