AktualitetBota+Të fundit

Diplomati rus jep dorëheqjen në shenjë proteste ndaj sulmit në Ukrainë

Një diplomat rus me përvojë në zyrën e OKB-së në Gjenevë dha dorëheqjen të hënën, pasi tha se ishte shumë “i turpëruar” nga sulmi i Presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë që filloi tre muaj më parë.

Përmes një proteste të rrallë, por jo të paprecedentë në radhët e trupit diplomatik të Rusisë, 41-vjeçari Boris Bondarev dha dorëheqjen në një letër drejtuar ambasadorit Gennady Gatilov dhe në vazhdim publikoi një denoncim therës të luftës së Rusisë.

“Lufta agresive e Putinit në Ukrainë dhe në fakt ndaj gjithë botës Perëndimore, është jo vetëm një krim ndaj popullit ukrainas”, tha zoti Bondarev, “por ndoshta është gjithashtu edhe krimi më i rëndë ndaj popullit të Rusisë, me një gërmë të zezë Z (që simbolizon mbështetjen për luftën) që fshin të gjitha shpresat dhe perspektivën për një shoqëri të lirë dhe të begatë në vendin tonë”.

Zoti Bondarev, i cili përfaqësonte Rusinë në zyrën e OKB-së në Gjenevë për çështjet e çarmatimit, tha se “ata që e konceptuan këtë luftë dëshirojnë vetëm një gjë – të qëndrojnë në pushtet përgjithnjë, të jetojnë në pallate pompoze pa shije, të lundrojnë me jahte që i afrohen kostos dhe tonazhit të të gjithë marinës ruse së bashku, të shijojnë pushtet të pakufizuar dhe mosndëshkueshmëri të plotë”.

“Për ta arritur këtë”, thotë zoti Bondarev, “ata janë gati të sakrifikojnë aq jetë sa do të duhen. Mijëra rusë dhe ukrainas kanë vdekur tashmë vetëm për këtë”.

Ai tha se gjatë gati 20 viteve të punës si diplomat rus, ndër të tjera edhe në ambasadat në Kamboxhia dhe Mongoli, “niveli i gënjeshtrave dhe joprofesionalizmit në Ministrinë e Jashtme është rritur gjatë gjithë kohës”.

Zoti Bondarev e akuzoi Ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov si “një shembull të mirë të degradimit të këtij sistemi”, si dikush që ka rënë “nga të qenit një intelektual profesionist dhe i arsimuar” që vlerësohej lart nga kolegët e tij diplomatë, në nivelin e “një personi që vazhdimisht bën deklarata kontradiktore dhe që kërcënon botën (dhe po kështu edhe Rusinë) me armët bërthamore!”.

“Rusia nuk ka më aleatë”, konkludon ai, “dhe për këtë nuk mund fajësohet askush tjetër përveç politikës së saj të rrezikshme dhe të keqkonceptuar… Nuk mund të marrë më pjesë në këtë turp gjakatar, të trashë dhe absolutisht të panevojshëm”.

Ai shtoi se, “ofertat për punë janë të mirëpritura”.

Zoti Bondarev i tha agjensisë së lajmeve Associated Press se nuk kishte marrë ndonjë reagim nga zyrtarët rusë, por shtoi se “A jam i shqetësuar për një reagim të mundshëm nga Moska? Më duhet të jem i shqetësuar për këtë”.

I pyetur nëse kolegë të tjerë të tij mendojnë po kështu, ai tha se “jo të gjithë diplomatët rusë janë luftëdashës. Ata janë të arsyeshëm, por u duhet ta mbajnë gojën mbyllur”.

Rusia ka shtypur protestat ndaj agresionit në Ukrainë, ka arrestuar protestuesit që kanë dalë në rrugë, ka eliminuar kritikën në media dhe ka miratuar me ligj ndëshkime me 15 vjet burgim për ata që përhapin “informacion fals” për sulmin ushtarak, përfshirë edhe në rastin e përdorim të fjalës luftë, në vend të termit “operacion i posaçëm ushtarak”.

 

Fraksion.com