Bënte thirrje për veprime terroriste në rrjetet sociale, “Antiterrori” vë në pranga 56-vjeçarin nga Kukësi
Një 56-vjeçar nga Kukësi, Ibrahim El Salih(Lekica), ka rënë në pranga nga Drejtoria e Antiterroit, pasi postonte me profile false në rrjetet sociale, foto dhe shkrime nxitëse, thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e veprave terroriste kundër disa institucioneve të rëndësishme shtetërore.
Specialistët e Drejtorisë së Antiterrorit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila ka caktuar për të masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.
Nga hetimet e kryera prej disa muajsh nga Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe SPAK-un, duke përdorur metodat proaktive, u bë i mundur identifikimi i personit që përdorte këto profile false, person me prirje ekstremiste fetare, i cili postonte në rrjetet sociale, shkrime të ndryshme në përkrahje të ISIS. Gjithashtu, i bënte thirrje qytetarëve, për përkrahje të luftës në Siri.
Materialet hetimore tashmë janë në dorë të SPAK-ut.
Fraksion.com