“S’ka kandidat për president”; Digjet edhe raundi i dytë, Komisioni i Ligjeve: Mbledhja tjetër pas…
Pas djegies së raundit të dytë për zgjedhjen e Presidentit, ku opozita nuk dërgoi asnjë kandidaturë, ditën e sotme në orën 18:00 pritet të zhvillohet seanca plenare për zhvillimin e votimit.
Ndërkohë Komisioni i Ligjeve i cili u mblodh në orën 09:00 të mëngjesit të sotëm, pas konstatimit se nuk kishte asnjë kandidaturë për emrin e Presidentit nga opozita, është mbyllur duke njoftuar se mbledhja tjetër do të njoftohet pas vendimit të Konferencës së Kryetarëve.
Konferenca e Kryetarëve e mbledhur të martën e kaluar vendosi që ditën e djeshme në orën 16:00 kandidatët me 20 firma deputetësh të depozitoheshin në Kryesinë e Kuvendit dhe më tej nesër do të mblidhet Komisioni i Ligjeve fillimisht paradite që të shqyrtojë emrat dhe pasdite kuvendi për votim.
Megjithëse java nisi me një pakt mes maxhorancë dhe opozitës që i jepte kësaj të fundit të drejtën që të propozojë kandidatë në raundin e dytë dhe të tretë, konsensusi zgjati më pak se 48 orë.
Mëngjesin e të premtes grupi parlamentar socialist shpërndau një deklaratë të shkurtër ku kujtonte se, dakordësia mes palëve është që opozita të sjellë një emër në raundin e dytë dhe të tretë, i cili duhet të vijë me firma mbështetëse.
Kjo do të thotë se sot në Parlament, deputetët duhet të votojnë për një emër të ardhur me firmat e të paktën 20 deputetëve të opozitës.
Fraksion.com