AktualitetPolitikëTë fundit

Marrëveshja për menaxhimin e Butrintit, protestë para Kuvendit! Arkeologu Apollon Baçe: Në krye të fondacionit që do e menaxhojë një antishqiptar, plani qesharak

Para ambienteve të Kuvendit, një përfaqësi e shoqërisë civile kanë protestuar duke kërkuar që të anulohet projekt-ligji i marrëveshjes për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, i cili pritet që të miratohet sot. Arkeologu Apollon Baçe, tha se në krye të fondacionit që do ta menaxhojë, do të jetë një anti-shqiptar, ndërsa e konsideroi planin si qesharak.

‘Nuk lejohet asnjë lek më tepër të futet në Butrint. Këto janë lek që do të përdoren për disko bare dhe restorante dhe në 1/3 do ta paguajë populli. Nuk ka ndodhur ndonjëherë tjetër që një ligj të bëhet në porosi të një fondacioni të caktuar. Këtu do kemi një përfitim që do ti kalojnë komplet fondacionit amerikan. Nuk ka të bëjë shteti shqiptar, por nëpërmjet në Fondacioni, në krye të të cilit është një anti-shqiptar Plani i këtyre është plani më qesharak. Kjo do të kthehet në një qendër diskosh. Ato lekët që do të futen janë taman lekë për baret.’- tha Baçe.

Në prill të këtij viti qeveria miratoi një marrëveshje mes ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit. Pas diskutimeve në komisionet parlamentare, Marrëveshja pritet të kalojë në parlament për t’u miratuar.

Fondacioni për menaxhimin e Butrintit krijohet në partneritet me Fondacionin jo shtetëror Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe do të përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës, 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, ndërsa një i pestë është arkeologu i huaj britanik Riçard Hoxhes. Kontributi fillestar financiar i partnerit strategjik është 5 milionë dollarë, ndërsa ai i Ministrisë së Kulturës, 2 milionë dollarë.

Një përqindje e të ardhurave të Parkut të Butrintit (duke filluar me 0,5% vitin e parë, deri në 2% e të ardhurave në vitin e katërt) të do të derdhen në Fondin e Trashëgimisë Kulturore, për t’u investuar në site të tjera të trashëgimsië kulturore në Shqipëri.

Marrëveshja e miratuar të mërkurën nga qeveria shqiptare mbështetet në Planin e Menaxhimit të Integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit 2020 – 2030, një dokument prej 300 faqesh, hartuar nga kompania angleze “Prince and Pearce”, kontraktuar dhe mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim.

Po në janar të këtij viti qeveria shqiptare mori një tjetër vendim duke reduktuar sipërfaqen e zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit nga 9.424,2 hektar në 8.622,2 hektar. Pra, një sipërfaqe prej rreth 800 hektar nga Manastiri, Gjiri i Hartës dhe deri në kufirin jugor tek Gjiri i Pemës së Thatë, nuk përfshihet më në statusin e zonës së mbrojtur, duke i hapur rrugën investimeve turistike.

 

Fraksion.com