“U krye”; Berisha flet si kryetar i PD-së: Ndodhi mrekullia e shekullit të 21
Sali Berisha ka mbërritur në selinë blu, pas shpalljes si kryetar i Partisë Demokratike.
Berisha mban fjalën si kryetari i zgjedhur i PD.
“U krye jo zgjedhja e Sali Berishës, po mrekullia e vërtetë shqiptare e Shqipërisë në shekullin e 21-të! Nuk kam një fjalim të gjatë, por kam një përulje të madhe dhe një mirënjohje të pakufishme për të gjithë ata burra dhe gra, djem dhe vajza që në një hark kohor ngadhënjyen si njerëz të lirë në një proces që do të regjistrohet në historinë e lirisë së shqiptarë si mrekullia e shekullit të 21. Kam një mirënjohje të pakufishme për të gjithë anëtarët që sot këtë ditë të 22 majit lanë të gjitha obligimet dhe votuan për të zgjedhur kryetarin e PD-së.
Ky besim i jashtëzakonshëm i tyre është për mua detyrim i madh, detyrim shumë i madh, por unë kam bindjen se së bashku me ju ne do t’ia dalim. Ne jemi në mision, ne jemi burra dhe gra, djem dhe vajza që kemi për pasion lirinë, që kemi për mision proceset që njohu PD, t’i njohë mbarë Shqipërua dhe të çlirojmë Shqipërinë nga një regjim që kurrë nuk e meriton.
Duhet ta pranoj, ishin të rinjtë promotorët kryesorë të kësaj lëvizje, ndaj dhe betimi im para tyre dhe mbarë shqiptarëve është se do bëj gjithçka që ëndrrat e tyre më të bukura të bëhen realitet në këtë vend. Ai që realizon ëndrrat e tij, ai është pafundësisht i detyruar të bëjë gjithçka për realizimin e ëndrrave të të tjerëve, Do t’i them sonte çdo të riu të reja shqiptarë, “never say never” (Kurrë mos thuaj kurrë) ne do fitojmë!
Faleminderit komisionarëve, kryetarëve të degëve, Komisionit të Rithemelimit, ju falënderoj me mirënjohjen më të thellë, rroftë PD, një përshëndetje e veçantë kam për Ibsen Elezi, rivalin tim i cili si një demokrat i vërtetë zhvilloi një garë të qytetëruar, faleminderit të gjithë”, tha Berisha.
Berisha siguroi në këtë garë 40.820 vota, e përkthyer në përqindje, 93.45%.
Nga ana tjetër, kandidati Ibsen Elezi mori 2532 vota, e thënë ndryshe 5.8%.
Fraksion.com