Shpërthimi me tritol në restorantin ‘Odeon 2’ në Radhimë, eksplozivi ishte lidhur me telefon në kolonën e kuzhinës
Lënda eksplozive e vendosur një ditë më parë në bar restorant “Odeon 2” në Radhimë ishte lidhur me telefon dhe u vendos në kolonën kryesore pranë kuzhinës. Burime për Report Tv bëjnë me dije se policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë nga të cilat ka zbuluar se pranë restorantit ka kaluar një person me motor.
Ai mbante skafandër në kokë për të mos u identifikuar. Ndërkohë janë pyetur edhe punonjësit në lokal nëse kanë parë apo dëgjuar diçka para momentit të shpërthimit pasi ishin duke fjetur brenda, por kanë shpëtuar pa lëndime.
Lokali në zonën bregdetare është në pronësi të Gjik Novruzit por Sadrit Shabani nga Elbasani e kishte marrë me qira për sezonin e verës. Pistat e hetimit janë përqendruar tek e shkuara e Shabanit dhe njohja me Çapajt sepse ka qenë i punësuar si DJ në lokalin e tyre, ka dëshmuar tre muaj më parë në GJKKO për vrasjen e babë e bir, Gentian dhe Nezir Beqiri. Shabani u mor në pyetje pasi dyshohet se ka shërbyer si korrier i kunatit të tij Florenc Çela për të përcjellë një letër të bashkëpunëtorit të drejtësisë, Ervis Bardhi tek Çapajt. Gjatë seancës ka pohuar se ka përcjellë letrën, por se nuk kishte dijeni për ngjarjen.
Ai ishte DJ në lokal Univers të fisit Çapja dhe është kunati i Florenc Çelës ndërsa në shkurt të 2022 u mor në pyetje në lidhje me vrasjen e Gentian e Nezir Beqirit në vitin 2012.
Fraksion.com