AktualitetBota+Të fundit

Ministri rus i mbrojtjes: Gati 2000 ushtarë ukrainas janë dorëzuar në Azovstal

Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu ka thënë se pothuajse 2000 ushtarë ukrainas janë dorëzuar në uzinën Azovstal në Mariupol.

Në komentet e transmetuara nga media shtetërore ruse të premten, Shoigu tha: “Bllokimi i uzinës Azovstal vazhdon… Nacionalistët po dorëzohen aktivisht në robëri. Për momentin, 1,908 persona kanë dorëzuar armët.” CNN nuk mund t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto shifra.

Azovstal ishte qendra e fundit në Mariupolin e pushtuar nga Rusia dhe u bë një simbol i rezistencës ukrainase nën bombardimet e pamëshirshme ruse.

Shifra e mëparshme e dhënë nga Ministria ruse e Mbrojtjes të enjten ishte 1,730 ushtarë ukrainas. Megjithatë, nuk ka asnjë provë për largimin e më shumë njerëzve nga uzina që nga e enjtja.

Shoigu tha gjithashtu se 177 civilë ishin evakuuar nga uzina, por ai duket se ka folur për totalin që doli javën e kaluar.

“Të gjithëve iu dha ndihmë e kualifikuar mjekësore dhe psikologjike,” tha Shoigu.

“Unë garantoj se forcat e armatosura ruse po bëjnë gjithçka për të parandaluar vdekjet në mesin e popullatës civile. Që nga fillimi i operacionit ushtarak special [eufemizmi i Moskës për luftën e saj në Ukrainë], më shumë se 1.37 milion njerëz janë evakuuar nga rajonet e rrezikshme të republikën popullore [rajonet e vetëshpallura separatiste pro-ruse], si dhe nga Ukraina në Rusi”, tha Shoigu.

Kjo shifër nuk mund të konfirmohet në mënyrë të pavarur. Ukraina ka pretenduar se më shumë se një milion njerëz janë dëbuar me forcë nga pjesët e vendit që ishin nën kontrollin e saj përpara se të fillonte pushtimi rus.

 

Fraksion.com