ZRRE humb betejën në Gjykatë, kthehen tarifat e vjetra të energjisë në Kosovë
Në Kosovë pritet të rikthehen tarifat e vjetra të energjisë elektrike, pasi Gjykata e Apelit e Kosovës vërtetoi një vendim të Themelores në Prishtinë që pezullonte vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për tarifat e reja. Ky vendim ka ngjallur shumë reagime.
Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Apeli thotë se ka gjetur se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë ka zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale me rastin e aprovimit të kërkesës së paditësit.
“Është refuzuar si e pabazuar ankesa e të paditurës – kundër propozueses Zyra e Rregullatorit për Energji, me arsyetimin se janë të drejta dhe të ligjshme qëndrimet e gjykatës së shkallës së parë dhe se në rastin konkret janë plotësuar kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ të paraparë me nenin 22 paragrafi 2 dhe 6 të Ligjit për Konfliktet Administrative”.
ZRRE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike. Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800kËh rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë. Sipas llogaritjeve të ZRRE-së, rreth 20 për qind e konsumatorëve shpenzojnë më shumë se 800kËh në muaj.
Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00. Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.
Menjëherë pas këtij vendimi, kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu ka thënë se ende nuk kanë pranuar ndonjë njoftim ose vendim nga Apeli për anulimin e vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Ani se nuk pajtohen me vendimin e mundshëm të Apelit, Fejzullahu theksoi se do ta respektojnë atë.
“Ne ende nuk e kemi marrë vendimin e Gjykatës së Apelit. Kurdo që ta marrim, ne do ta respektojmë vendimin e Gjykatës së Apelit. Ai vendim ka afat 30 ditë për t’u implementuar, kështu që brenda 30 ditësh, ne do t’i marrim masat e nevojshme sipas vendimit. Fatkeqësisht, ne s’pajtohemi me këtë vendim. Kemi parë se si ka dalë informata së pari në portale para se ta marrim ne si ZRRE zyrtarisht, po shihet se si ka rrjedhë ai vendim. Si do që të jetë, ne jemi të obliguar ta zbatojmë”, tha Fejzullahu.
Opozita shprehet se vendimi i ZRRE-së për shtrenjtimin e tarifave të rrymës ishte i kundërligjshëm, gjë që qytetarët duhet të kompensohen.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është shprehur se Gjykata e Apelit ka vërtetuar që shtrenjtimi i çmimit të energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës nga ana e Qeverisë dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji, ishte i padrejtë dje i kundërligjshëm.
“Rritja e çmimit të energjisë elektrike për familjet kosovare nga ana e Qeverisë dhe ZRRE-së, ka qenë vendim i padrejtë dhe i paarsyeshëm. Kemi mirëpritur vendim e Gjykatës së Apelit, përmes së cilit është ri konfirmuar se ai vendim ka qenë edhe i kundërligjshëm”, tha Krasniqi nëpërmjet një postimi në faqen e tij në Facebook.
Ai është shprehur se vendimi i Apelit ka lehtësuar nga barra rreth 450 mijë familje kosovare.
“Jam shumë i lumtur që qëndrimi ynë parimor për ligjshmëri e në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve si konsumatorë, sot i ka lehtësuar nga barra e atij vendimi rreth 450 mijë familje kosovare”, është shprehur ai.
Sipas kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku faturimi ishte diskriminues dhe se duhet shkarkohet Bordi i ZRRE-së.
“Tash e tre muaj, ZRRE-ja dhe Qeveria e Kosovës, kanë faturuar qytetarët tanë kundërligjshëm. Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit si dhe ai i Gjykatës Themelore në Prishtinë, konfirmojnë të gjitha argumentet tona rreth faturimit diskriminues dhe të padrejtë të qytetarëve tanë. Këto argumente ishin injoruar nga pushteti. Insistimi i tyre për të mbrojtur një plaçkë publike, ka marrë sot vulën e dyfishtë të paligjshmërisë”, ka thënë Abdixhiku.
“Kthimi i mjeteve te qytetarët, rishikimi i menjëhershëm i tarifave të energjisë, si dhe shkarkimi i Bordit të ZRRE-së, janë hapa të domosdoshëm që Qeveria e Kosovës dhe Albin Kurti duhet t’i ndërmarrin sa më parë”, ka shtuar ai.
Ndërsa, i pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se pas vendimit të Apelit, qytetarëve duhet t’iu kthen paratë.
“Presim që qeveria të marrë vendim të shpejtë që paratë që iu morën qytetarëve përmes faturave të fryra, tu kthehen pa vonesë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Tarifat e reja të energjisë elektrike të miratuara nga ZRRE-ja, kanë hyrë në fuqi më 9 shkurt dhe ishin planifikuar të jenë të vlefshme deri më 31 mars 2023.
Siç ishte njoftuar, rreth 20 për qind e konsumatorëve në Kosovë konsumojnë më shumë se 800 kilovatë rrymë në muaj dhe, rrjedhimisht, paguajnë më shtrenjtë.
Një njehsor i energjisë elektrike në Mitrovicën e Veriut më 9 shkurt 2022.
Gjatë tarifave të shtrenjta, qytetarët që harxhojnë mbi 800 kilovatë paguajnë 12.5 centë për kilovat, ndërsa gjatë tarifave të ulëta 5.9 centë.
Për ata që nuk konsumojnë më shumë se 800 kilovatë, çmimi i rrymës nuk ka ndryshuar; pra, ata vazhdojnë të paguajnë 7 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta dhe 3 centë gjatë tarifave të lira.
Tarifa e lirë e energjisë elektrike në Kosovë vlen nga 1 tetori deri më 31 mars, nga ora 22:00 deri në orën 7 të mëngjesit.
Nga 1 prilli deri më 30 shtator, tarifa e lirë vlen nga ora 23:00 deri në 8 të mëngjesit.
Qytetarët e Kosovës në dy muajt e fundit janë faturuar me çmime të reja të energjisë elektrike./monitor
Fraksion.com