Presidenti turk përsërit se nuk do të pranojë hyrjen e Suedisë dhe Finlandës në NATO
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të enjten se vendi i tij “do t’i thotë jo hyrjes së Suedisë dhe Finlandës në NATO”, duke përsëritur të njëjtin qëndrim që mbajti javën e kaluar.
“Ne u thamë miqve përkatës se do t’i themi jo hyrjes së Suedisë dhe Finlandës në NATO dhe do të vazhdojmë rrugën tonë ashtu,” tha Erdogan gjatë një konference me studentët në Ankara.
“NATO është një organizatë sigurie dhe ne nuk mund të pranojmë praninë e organizatave terroriste atje”, tha ai. Në fillim të kësaj jave, Erdogan akuzoi të dy vendet për strehimin e “organizatave terroriste” kurde.
Erdogan i referohej kryesisht Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) e cila kërkon një shtet të pavarur në Turqi. Grupi ka qenë në një luftë të armatosur me Ankaranë për dekada dhe është cilësuar një organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Finlanda dhe Suedia kanë një komunitet kurd, megjithëse Erdogan nuk dha detaje se kujt i referohej.
Të dy vendet nordike aplikuan zyrtarisht për t’u bashkuar me NATO-n të mërkurën, një vendim i nxitur nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
Fraksion.com