AktualitetPolitikëTë fundit

PE miraton me shumicë dërrmuese raportin për Shqipërinë, Santos: Koha për të avancuar në negociata

Raporti për procesin e aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian u miratua me shumicë dërrmuese në Parlamentin Europian, njoftoi raportuesja për Shqipërinë në PE, Isabel Santos.

Duke sjellë tabelën e votimit, ku kanë votuar pro 519 deputetë nga 599 deputetë, Santos theksoi se është koha për të kaluar në negociata të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

“Raporti im për procesin e aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian sapo u miratua nga seanca plenare e Parlamentit Europian me shumicë dërrmuese. Evropa nuk mund të zhgënjejë popullin shqiptar dhe një vend që është përpjekur të zbatojë të gjitha hapat e nevojshëm për pranimin. Koha për të kaluar në negociata formale”, shkroi Santos.

Raportuesja e Parlamentit Europian për Shqipërinë, Isabel Maria Santos gjatë seancës plenare të PE-së prezantoi gjetjet në lidhje me ecurinë e vendit në lidhje me procesin e integrimit dhe apeloi për mbajtjen e menjëhershme të Konferencës së Parë Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian brenda Presidencës Franceze të Këshillit Europian.

Edhe përfaqësuesi i Komisionit Europian, Didier Reynders , theksoi vendosmërinë në plotësimin e kushteve nga ana e Shqipërisë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, dhe kërkoi mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë sa më parë.

 

Fraksion.com